Seancë

Deputetët lartësojnë figurën e heroit Ilaz Kodra, sinonim i guximit e shpirtit liridashës

Edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të partive politike opozitare vlerësuan lartë figurën e komandantit Ilaz Kodra në 25 vjetorin e rënies së bashku me 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë

Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës tha se sot po nderojnë më shumë se një emër, po nderojnë një epokë, që është periudhë që më shumë se dhembjen formëson dhe lartëson krenarinë kombëtare.

“Ilaz Kodra është sinonimi i guximit dhe shpirtit liridashës… është figurë monumentale që iu përgjigj thirrjeve të para për liri, krah për krah me legjendarin Adem Jasharin”, tha ajo.

Ndërkaq, Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se sot po rikujtojnë historinë e Kosovës që personifikohet edhe nëpërmjet heroit Ilaz Kodra.

“Rezistenca e popullit shqiptar të Kosovës dhe kryengritja për liri ishte e pashmangshme…”, tha ndër të tjera Gashi.

Ndërkaq, Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk ka ditë e datë në kalendar që ka mbetur pa u shkruar me historinë e luftës për lirinë.

“Në çdo pëllëmbë të Kosovës janë varret, llogoret pozicionet , e gjurmët e luftëtarëve… Kur kujtojmë rënien historike të komandantit Ilaz Kodra lartësojnë momentet kulmore të sakrificës për liri”, u shpreh Kadrijaj.