Kuvendi tashmë i ka kaluar 12 orë të punës pa pushim fare. Aktualisht po diskutohet plotësim-ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike.

Edhe ky diskutim ka nxitur përplasje ndërmjet deputetëve të Vetëvendosjes dhe atyre të PSD-së.

Aryesja ka qenë neni i cili përcakton se nëse një grup prej 6 deputetësh largohet nga një grup parlamentar të ketë të drejtë të merr pjesë nga fondi që ju takon partive parlamentare, transmeton Ballkani.info.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se deputetët e PSD-së kanë hyrë në pazare me Qeverinë që përmes këtij ligji t’ia marrin paratë e fondit Vetëvendosjes.

“Këto kërkesa janë pazare që të marrin fondet tona”, ka thënë Haxhiu.

Në anën tjetër, Molliqaj ka thënë se PSD-së i është bërë ofertë që të hyjë në Qeveri, por ata nuk kanë shkuar.

Ai i është përgjigjur edhe deputetit të LDK-së, Driton Selmanajt, duke thënë se ata nuk kanë shkuar si LDK-së dhe që deputetët e kësaj partie e kanë bërë Thaçin president.

“Por ne kemi vendosur që të jemi opozitë dhe të punojmë për interes të qytetarëve duke vendosur kushte. Çka ndodh nëse nga 30 deputetë, 29 largohen nga ai subjekt, kush me i marrë fondin e partisë, apo ai deputet i vetëm me vazhdu deri në fund”, ka thënë Molliqaj. /Ballkani.info/