Deputetët e VMRO-së, kundër ndryshimeve kushtetuese
Deputetët e VMRO-DPMNE-së, siç mëson jozyrtarisht Alsat, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv kanë nënshkruar deklarata se në Kuvend nuk do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese për çështjen e emrit dhe të njëjtat i kanë dorëzuar në selinë e partisë.
Në mbledhjen e parë zyrtare partiake pas referendumit, VMRO-DPMNE-ja mbrëmë konstatoi se nuk do ta mbështesë në Parlament Marrëveshjen me Greqinë duke i bërë kështu të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Të njëjtët thonë se grupi i tyre parlamentar është i unifikuar dhe se mban qëndrim kundër ndryshimit të ermit kushtetues. Në rast të votimit të fshehtë në Kuvend, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-së Dragan Danev, tha se do të lëshojë seancën parlamentare.
“Unë si deputet nuk do të votoj për ndryshime kushtetuese për ndryshimin e emrit Kushtetues të RM-së. Nëse mbahet votim i fshehtë, unë do ta lëshoj atë seancë “, u shpreh Dragan Danev , koordinator i grupit parlamentar i VMRO-DPMNE-së.
Konstantin Bogranov nga fraksioni i ish-reformatorëve thotë se Kuvendi është ai që duhet të vendosë për Marrëveshjen me Greqinë dhe pohon se njëjtë si ai, mendojnë edhe një pjesë tjetër e funksionarëve të VMRO-DPMNE-së.
“Bindja ime personale është që procesi duhet të mbarojë në Parlament, ashtu siç edhe i ka hije”, theksoi Bogdanovi.
Ai dhe ish reformatorët brenda VMRO-së nuk janë të vetmit që kanë një qëndrim të ndryshëm nga ai i partisë.
Pas shkarkimit të Petar Bogoevskit nga pozita e zëvendëssekretarit të VMRO-së, ai ka shkruar se partia e Mickoskit po ecën në rrugën e gabuar dhe se partia nuk është reformuar edhe përkundër ndryshimit të kryesisë.
Sipas Bogoevskit, VMRO-DPMNE-ja e fitoi Gruevskin por jo gruevizmin brenda tyre.