Një barcoletë e mbrëmshme ku ofendonte banorët e Drenicës, bëri që polici Besnik Demiri të suspendohet nga puna. Kjo deklaratë e tij ka indinjuar deputetet e PDK’së që vijnë nga ky rajon, Ganimete Musliu e Blerta Deliu.
Ganimete Musliu sot para mediave ka thënë se personat si polici Demiri uk kanë vend në organet e sigurisë.
“Mendoj se një individ me mendim dhe logjik të tillë dëmin më të madh ja krijon policisë. Persona të tillë s’duhet të kenë vend në polici. Policia e Kosovës është e Kosovës sepse në raste të tilla ndjellë frikë dhe urrejtje”, tha ajo.
Lidhur me këtë kishte reaguar edhe deputetja tjetër e kësaj partie Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se një deklaratë e tillë është e financuar nga subjekte të caktuara politike.
“ Ku ka mbërri të degjeneroj diskursi publik i instaluar, motivuar edhe financuar nga subjekte të caktuara politike për manipulim me masa të caktuara qytetare dëshmon statusi i këtij personi që nuk turpëron veç uniformën e institucionit më të besuar në Kosovë, po na turpëron të gjithëve si shoqëri, ku kem lejuar të katandisemi. Kësi racizmi i hapur i shfrenuar ndaj një rajoni të tërë, ndër rajonet më të përvajtuara ndër vite, nuk e kisha paramenduar as nga armiku më i urryer i yni”, shkruan ajo në Facebook.
Kujtojmë se polici në fjalë është supenduar dje, pasi deklaroi se banorët e Drenicës duhet të rrethohen me tela, si në kopsht zoologjik.
Kjo është konfirmuar për Gazetën Metro nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha.
“Po, ju konfirmoj se lidhur me rastin e potencuar nga ana e juaj, një zyrtar policor nga rajoni i Prishtinës është supsenduar nga detyra”, ka thënë ai.
Ndryshe, kjo ka marrë reagime të shumëta në rrjete sociale, si deklaratë skandaloze e një zyrtari që vjen nga një institucion shumë i rëndësishëm, siç është Policia e Kosovës.
Kujtojmë se kohëve të fundit disa zyrtarë policor janë supsenduar e përjashtuar nga puna, për shkak të komenteve të bëra në rrjete sociale.







