Deputetët e Kurtit nervozohen me KFOR-in dhe ‘harrojnë’ që jemi shtet: Pse s’po i largoni barrikadat?

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, i ka reaguar KFOR-it, i cili ka thënë se ka kërkuar pak kohë për heqjen e barrikadave në veri.

Sipas Rrustemit, duhet ta themi rendin e gjërave ndonëse ai është shumë i thjeshtë dhe i qartë.

“Në Republikën e Kosovës janë bllokuar disa prej rrugëve nacionale. Dhe kjo është e paligjshme. Këto barrikada janë vendosura nga struktura kriminale dhe të armatosura që dirigjohen direkt nga Beogradi, madje këtë edhe e kanë pranuar zyrtarisht. KFOR ka kërkuar pak kohë nga institucionet e Republikës së Kosovës për t’i hequr këto barrikada të paligjshme. Jemi në ditën e 14 dhe sot KFOR deklaron që kjo punë të zgjidhet me dialog”, shkroi ai në Facebook.

Për Rrustemin, “këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje. Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë”.

“Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë”.

Pas tij, si në sinkron, ka reaguar edhe deputeti tjetër i LVV-së, Artan Abrashi.

Pas deputetit të LVV-së, Adnan Rrustemi, së fundmi ka reaguar edhe kolegu i tij, Artan Abrashi.

“KFOR-i kërkoi pak kohë për heqje barrikadash, ndërkaq sot kur u bënë 14 ditë thotë të zgjidhet kjo çështje me dialog. Si ndodhi kjo që nga pak kohë për heqje të barrikadave të kalojmë te negociimi me krimin dhe bandat kriminale e të armatosura”, ishte reagimi i Abrashit, drejtuar misionit të NATO-s në Kosovë.

Sipas tij, kjo është vërtetë e papranueshme.

“KFOR-i të përmbush misionin e tij ose barrikadat i heq Policia e Kosovës ashtu siç ka shprehur gatishmërinë dhe ka kapacitetin. Rendi dhe ligji nuk mund të dialogojnë me bandat kriminale”, përfundoi Abrashi.