Deputetë të papërgjegjshëm! Kuvendi nuk votoi asnjë ligj në sesionin vjeshtor

27 projektligje janë duke pritur për miratim në Kuvendin e Kosovës. E gjatë këtij viti organi më i lartë legjislativ në vend ka arritur që t`i miratojë vetëm 13 sosh. Edhe më keq qëndron puna me sesionin vjeshtor të Parlamentit. Gjatë këtyre dy muajve prej kur ka filluar ky sesion, Kuvendi nuk ka arritur që të miratojë as edhe një projektligj, përveç tri marrëveshjeve ndërkombëtare.

Këtë e ka bërë të ditur, Agnesa Haxhiu hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).

“Sa i përket projektligjeve, numri total i projektligjeve që janë̈ aktualisht në procedurë në Kuvend është̈ 27, ndërkaq numri i përgjithshëm i ligjeve të miratuara gjatë këtij viti është 13.Për këtë̈ periudhë raportuese, pra prej fillimit të sesionit vjeshtor Kuvendi nuk ka miratuar asnjë̈ ligj përjashtim tri marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë ajo për Express.

Ngecje sipas Haxhiut ka pasur edhe në punën e Qeverisë. Ajo pohoi se janë edhe 103 ligje të tjera që Qeveria as që ka arritur që t`i sjell në Kuvend për shqyrtim.

“Aktualisht për miratim në shqyrtim të dytë në seancë është̈ projektligji për rimëkëmbje ekonomike i cili për shkak të mungesës së kuorumit ende nuk është̈ hedhur në votim.  Kurse nga agjenda legjislative e qeverisë janë edhe 103 ligje që nuk i ka sjellë ende në Kuvend për shqyrtim”, ka thënë Haxhiu.

Për opozitën, mungesa e numrave është shkaku kryesor pse Kuvendi po dështon që t`i miratojë këto projektligje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi, njëherësh edhe  anëtar i Komisionit për Legjislacion dhe Mandate, ka se pozita nuk po e ka vullnetin për të bashkëpunuar për numrat.

“Arsyeja kryesore është që pozita nuk po i ka numrat. Kjo po reflekton edhe në komisione edhe sidomos në votën e Kuvendit. Në anën tjetër nuk kanë gatishmëri as për të bashkëpunuar ose me i marrë parasysh propozimet e opozitës në këtë rast apo të deputetëve që kanë sugjerime të ndryshme lidhur me projektligjet. Pastaj krejt kjo po reflekton në kuvend dhe kemi një situatë ku kjo Qeveri nuk po arrin që të kalojë as ligjet më të thjeshta”, ka deklaruar ai.

Madje Abrashi theksoi se në pritje ka edhe projektligje të legjislaturave të kaluara.

“Nuk e di numrin saktë mirëpo numri i projektligjeve është shumë i madh meqenëse janë grumbulluar edhe nga mandati i legjislaturës së gjashtë. Saktë nuk e di por është një korpus i ligjeve që janë trashëguar nga legjislatura e gjashtë të cilat i kanë përfunduar shqyrtimet por nuk kanë arrit me kalu në Kuvend sepse pak a shumë problemi i njëjti i mungesës së numrave të pozitës ka qenë edhe në legjislaturën e gjashtë. Në këto raste ato gjithmonë i barten legjislaturës së re”, ka thënë ai.

Në ndëkohë kryetari i Komisionit për Legjislacion Shkëmb Manaj, ka thënë për Express që për dallim nga dështimi i projektligjeve për miratim në Kuvend, në Komisioni gjendja rezulton të jetë më mirë.

“Aktualisht i kemi 5 projektligje që kanë ardhur nga Ministria e Drejtësisë në Komisionin tonë që i kemi në shqyrtim. Një marrëveshje ndërkombëtare e kemi kaluar dhe është aprovuar në Kuvendin e Republikës. Marrëveshja ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Italisë për personat e dënuar. E kemi edhe kodin civil të Republikës së Kosovës në pritje për miratim. Është shqyrtuar por ende nuk ka vendimmarrje për lexim të parë në seancë. Gjendja në Komision është  e mirë dhe pandemia nuk ka ndikuar edhe aq. Projektligjet kanë kaluar pa problem”, ka thënë ai.