Deponia e materialeve të rrezikshme në Harilaq afër Stadiumit Kombëtar, kundërshtojnë banorët

Brenda fshatit Harilaq të Fushë-Kosovës ndodhet Kalaja e njohur që kësaj komune i sjell vizitorë të shumtë. Fshatit turistik mund t’i zbehet imazhi i “Kalasë së Harilaqit” dhe të bëhet më i njohur për ekzistencën e një deponie të materialeve të rrezikshme.

Komuna dhe banorët e këtij fshati (që ka edhe pozitë të mirë gjeografike), janë kategorikisht kundër ndërtimit të deponisë.

Ballkani.info mbrëmë ka raportuar se banorët janë kategorisht kundër kësaj deponie, ndërkaq një kërkesë të tillë kryeministrit zyrtarisht me shkrim ia ka përcjellë edhe kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha.

Ai kërkon nga kryeministri rishqyrtimin e vendimit “Caktimi i lokacionit për ndërtimin e objektit për ruajtjen e përkoheshme të mbeturinave të rrezikshme” nr 11/49 të datës 29 maj 2018.

Kryetari Berisha thotë se Komuna me 16 tetor i ka ndërprerë punimet në këtë lokacion për arsye procedural, pakënaqësisë dhe refuzimit që i bëjnë bizneset që veprojnë në atë zonë, banorët e fshatrave përreth siç janë: Harilaqi, Lagja e Rrafshinave, Korrotica, Sllatina dhe të gjithë qytetarët e Fushë Kosovës, sepse aty afër është një zonë turistike, Kalaja e Harilaqit, mu aty do të ndërtohet Stadiumi Kombëtar dhe ka indikacione se në atë zonë kalon rruga e vjetër “Nish-Lezhë” që kalonte nëpër Ulpianë dhe nëpër territorin e Fushë Kosovës.

Nga qeveria thonë se kjo deponi është e domosdoshme dhe se ajo do të ndërtohet duke i respektuar të gjitha parametrat. /Ballkani.info/