Denoncohen online raste të shumta të kërkesave për analiza të panevojshme, kërcënohen për postimet

Pavarësisht se duket qetë dhe e pangarkuar për një institucion shëndetësor, Klinika e Biokimisë Mjekësore në QKUK, çdo ditë u shërben qindra pacientëve.

Megjithatë, specialistë në këtë klinikë ballafaqohen me kërkesa prej kolegëve të tyre, që në disa raste janë skandaloze, raporton KTV.

“Na ka ndodh raste që lypet analizë që s’ka të bëjë me gjininë mashkullore fare por femërore. Ne e kuptojmë që dikush ka interferu”, ka thënë Shemsi Veseli, drejtor në Klinikën e Biokimisë Mjekësore.

Raste të tilla kanë filluar të denoncohen në rrjete sociale.

Në Facebook është hapur një faqe me emrin “Udhëzime pa kritere” dhe disa prej publikimeve të saj janë vërtetë shqetësuese. Shumë udhëzime nuk përmbajnë elementet thelbësore si diagnoza ose trajtimi. Të shumta janë rastet kur pacientët, ndonjëherë me kërkesë të tyre dërgohen direkt në spitale rajonale ose në QKU, ndonjëherë pa u ekzaminuar fare. Por, përveçqë ngatërrojnë gjininë, e kërkojnë edhe numër të madh analizash, si në këtë rast kur janë kërkuar hiq më pak se 97.

Në një prej njoftimeve të grupit, bëhet e ditur se ata kanë filluar të marrin kërcënime për postimet e tyre.

KTV-ja ka provuar të kontaktojë me mirëmbajtësit e faqes, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Megjithatë, drejtori i Klinikës, Veseli, ka një shpjegim se pse, sipas tij, mund të ndodhin lëshime të tilla.

“Kemi raste kur individë të caktuar, si infermier e laborant a teknik, futet në fushën e mjekëve, specialistëve e përshkruan analiza që s’i përkasin”, ka thënë Veseli.

Me një mendim të tillë pajtohen edhe specialistë të fushës, që gjatë punës së tyre në institucione shëndetësore publike, kanë mbledhur dhjetëra udhëzime të tilla, shumë nga to që bien ndesh edhe me Udhëzimin administrativ për dokumentet shëndetësore.

“Këta e ka konfirmuar një laborant, në kushte normale nuk guxon, duhet me kon specialist i biokimisë klinike qe duhet me i konfirmu rezultatet …”.

Inspektorati Shëndetësor ka bërë të ditur se vitin e kaluar, shkelje të atij udhëzimi janë konstatuar në 10 institucione shëndetësore.

Gjithashtu, sipas Inspektoratit, masa ndëshkuese ka pasur edhe për mosplotësim korrekt të dokumenteve shëndetësore, por nuk bëhet i ditur numri i rasteve.