Dënohet me burg efektiv biznesmeni në Kamenicë që akuzohej se tentoi të vetëdigjej

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, të enjten, biznesmenin Avdullah Bajra, e ka dënuar me tre muaj burgim efektiv për veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, derisa e ka liruar nga akuza për mospërfillje të gjykatës.

Ai, po ashtu është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 eurosh, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi i rastit, Sadri Krasniqi, i akuzuari është gjetur fajtor për pikën e dytë të aktakuzës, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, me çka edhe e ka dënuar atë me tre muaj burgim efektiv.

Bazuar në aktgjykim, i akuzuari Bajra në kohë dhe vend si në dispozitivin e aktakuzës, me veprim të rrezikshëm, përkatësisht me mjete të rrezikshme ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe pasurinë, në atë mënyrë që derisa kompania “Air Energy” ka shkuar për t’i zhvilluar punimet, i akuzuari fillimisht i ka penguar, e më pas në prezencë të policisë merr një bidon me lëndë djegëse – benzinë, e hedhë në tokë rreth ekskavatorit të tij, me ç’rast tenton ta ndezë benzinën, por me intervenimin e zyrtarëve policorë pengohet, ku dhe vepra penale mbetet në tentativë.

Ndërkaq, për pikën e parë të aktakuzës gjykata e ka liruar të akuzuarin nga përgjegjësia penale, pasi sipas gjykatësit Krasniqi, nuk ka prova se i akuzuari Bajra nuk e ka respektuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, C.nr.54/18, të 18 prillit 2018.

Gjykatësi Krasniqi, ka thënë se palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të dëmtuarit, Elmaze Sermaxhaj, Lulzim Xhaqkaj dhe Hysen Krasniqi, të gjithë zyrtarë policorë, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, janë udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, gjatë shpalljes së aktgjykimit prezent në gjykatë ishte i akuzuari Avdullah Bajra, mirëpo mungoi mbrojtësi i tij, avokati Shemsedin Pira, si dhe prokurori nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Lidhur me këto dy vepra penale, Bajra akuzohej se i ka kryer për të mos lejuar telat e rrymës të tensionit të lartë të kalojnë në pronën e tij.

I akuzuari Bajra, në seancat e kaluara nuk e kishte pranuar fajësinë, duke pretenduar se asnjëherë nuk i kishte kryer veprat penale për të cilat ngarkohej, duke shtuar se ky rast ndaj tij është i montuar dhe se dëshmitë e dëshmitarëve, sidomos të atyre nga zyrtarët policorë sipas tij, janë të rrejshme, me çka siç ka thënë edhe janë manipuluar organet përkatëse, prokuroria dhe gjykata.

Lidhur me rastin, kishin dështuar dy seanca gjyqësore, ajo e 22 nëntorit 2018 dhe 26 shkurtit 2019, ndërkaq në seancën e 16 janarit 2019 kishin dhënë dëshmitë e tyre, Elmaze Sermaxhaj, Hysen Krasniqi, Avni Maroca, Arbnor Bajra, Nazmi Hoti dhe Mustafë Berisha, ndërkaq në seancën e 12 marsit 2019, para gjykatës kishin dëshmuar edhe Lulzim Xhaqkaj, Ganimet Vokshi dhe Albert Bajra.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 14 maj 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Avdullah Bajra, i cili dyshohet se më 26 prill 2018, rreth orës 8:15, në Poliqkë të Kamenicës, në vendin e quajtur “Bujnoc”, nuk e ka respektuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, të 18 prillit 2018.

Në aktakuzë thuhet se me aktvendimin e gjykatës, është refuzuar caktimi i masës së përkohshme, e propozuar nga i akuzuari Bajra, ashtu që derisa kompania “Air Energy”, shkon për t’i kryer punimet, i akuzuari duke vepruar në kundërshtim me aktvendimin e plotfuqishëm të gjykatës, e pengon kompaninë në kryerjen e punimeve.

Me këtë, Avdullah Bajra, akuzohej se ka kryer veprën penale “mospërfillja e gjykatës”, nga neni 401 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Tutje, në aktin akuzues, Avdullah Bajra, akuzohet se në kohë dhe vend si në dispozitivin e aktakuzës, i akuzuari me veprim të rrezikshëm, përkatësisht me mjete të rrezikshme, ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe pasurinë, në atë mënyrë që derisa kompania “Air Energy”, ka vazhduar t’i kryej punimet e saj, i akuzuari fillimisht e ka penguar atë, dhe më pas në prezencë të policisë, merr një bidon me lëndë djegëse – benzinë, e hedhë në tokë rreth ekskavatorit të tij, me ç’rast tenton ta ndezë atë, por me intervenimin e zyrtarëve policorë, pengohet dhe vepra mbetet në tentativë.

Me këtë, Avdullah Bajra, akuzohej se ka kryer veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365 paragrafi 1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).