Dënohet me 500 euro i akuzuari që pranoi se i kishte dhënë 10 euro ryshfet policit kufitar

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 500 euro gjobë të akuzuarin për dhënie ryshfeti, Safet Zajmi.

I akuzuari Zajmi, paraprakisht kishte lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Zajmi akuzohej se në janar të këtij viti në pikën kufitare në Merdare, gjatë kontrollimit nga polici kufitar, brenda librezës së qarkullimit kishte futur kartëmonedhën prej 10 euro, si dhuratë apo përfitim tjetër “Betimi për Drejtësi”.

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, e cila ishte lidhur më 8 korrik 2019, aktgjykimin në fjalë e ka shpallur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi.

Sipas tij, nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë prej 500 euro, ky dënim do t’i zëvendësohet në dënim me burgim, duke iu llogaritur nga 20 euro për një ditë.

Po ashtu, Zajmi është obliguar t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe nga 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe për kompensimin e viktimave të krimit, si dhe të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësuar, konfiskimi i kartëmonedhës prej 10 euro.

Ndryshe, në seancën e martës, prokurori Shkelzen Ibrahimi, i ka propozuar gjykatës që të aprovojë marrëveshjen për pranim të fajësisë, e lidhur mes prokurorisë dhe të akuzuarit Zajmi, pasi sipas prokurorit, kjo marrëveshje ishte në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

Po ashtu, prokurori Ibrahimi i ka propozuar gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet dënimi i rekomanduar sipas kësaj marrëveshje prej 400 deri në 500 euro gjobë.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Zajmi, avokati Ramiz Krasniqi, kërkoi nga gjykata që të aprovojë këtë marrëveshje, pasi sipas tij, ajo ishte lidhur në mënyrë vullnetare nga ana e të akuzuarit, pa presion dhe se i njëjti ishte njoftuar me të gjitha beneficionet e pranimit të fajësisë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 korrik 2019, i akuzuari Zajmi si vozitës i autobusit, më 5 janar 2019, në pikën kufitare në Merdare, derisa zyrtari policor po kryente kontrollimin e dokumenteve, i akuzuari brenda librezës së qarkullimit kishte futur kartëmonedhën prej 10 euro, si dhuratë apo përfitim tjetër me qëllim që personi zyrtar të kryej një veprim në kuadër të kompetencave të veta.

Prokuroria Themelore në Prishtinë të akuzuarin Zajmi e ngarkonte me veprën penale “dhënie ryshfeti”.

loading…