Dënohet me 24 vite burgim burri që vrau gruan e tij në Llaushë të Skenderajt

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Skender Qerimajt, duke e dënuar me dënim unik prej 24 vitesh burgim dhe 500 euro gjobë, për vrasje të bashkëshortes dhe tre vepra tjera penale.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Qerimaj u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues Veljko Vuqetiq.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Qerimaj për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, për “Dhunë në familje” u dënua me 1 vit burgim dhe 500 euro gjobë, për  “Vrasje të rëndë”, u dënua me 22 vite burgim, kurse për armëmbajtje pa leje”, një vit burgim.

Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 24 vite burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 5 janari 2022 dhe dënim me gjobë në lartësi prej 500 euro, të cilën detyrohet ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Në rast se i njëjti nuk e paguan dënimin me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet në dënim me burgim, ku për 20 euro do t’i llogaritet një ditë burgim.

Gjykatësi Vuqetiq bëri të ditur se të akuzuarit do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Po ashtu, të akuzuarit i konfiskohet pistoleta “Zoraki” dhe tre fishekë të saj.

I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe paushallit gjyqësor në vlerë prej 100 euro dhe në emër të fondit të kompensimit të viktimave të krimit 50 euro, dhe kjo në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

I dëmtuari Shaban Sahiti dhe trashëgimtarët e tjerë të viktimës, kërkesën pasurore-juridike u udhëzuan ta bëjnë në kontest të rregullt civil.

Palët kanë të drejtë ankese 15 ditë nga shpallja e aktgjykimit dhe se aktgjykimi nuk mund të atakohet për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë në shqyrtim gjyqësor.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 12 maj 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Skender Qerimajt.

Në pikën e parë të aktakuzës, thuhet se në muajin korrik të vitit 2021, i akuzuari Qerimaj në shtëpinë e tij në fshatin Llaushë, Komuna e Skenderajt, rreth orës 5 të mëngjesit me dashje i ka shkaktuar lëndim trupor bashkëshortes së tij L.Q.

Rasti thuhet se ka ndodhur, ashtu që pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes tyre, i akuzuari merr një çarçaf dhe me të e shtrëngon në fyt të dëmtuarën, me ç’rast i shkakton lëndime të lehta trupore – ndrydhje në pjesën e përparme dhe anësore në të dy anët e qafës dhe në pjesën mollëzore të majtë të fytyrës, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, par.3, lidhur me par.2 dhe 1 pika 1.4 të KPRK-së.

Ndërsa, në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se i akuzuari Qerimaj më 1 janar 2022, rreth orës 10:00, në shtëpinë e përbashkët familjare në fshatin Llaushë, Komuna e Skenderajt, ka ushtruar dhunë psikike me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër dhe atë ndaj bashkëshortes së tij – tani të ndjerës L.Q.

Sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari e ka fyer me fjalë dhe i ka thënë “dil nga shtëpia, se je kah më tradhëton”, dhe atëherë djali i tyre, tani dëshmitari A.Q, ka lajmëruar policinë, me ç’rast policia arrin në shtëpinë e të pandehurit dhe i dërgojnë në stacionin policor.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje” nga neni 248, par.1 të KPRK-së.

Tutje, në pikën e tretë të aktakuzës, i akuzuari Qerimaj ngarkohej se më 5 janar 2022, rreth orës 13:30 në fshatin Llaushë, Komuna e Skënderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij – tani të ndjerën L.Q.

Në aktin akuzues thuhet se pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme mes tyre, në shtëpinë e përbashkët familjare, gjegjësisht në dhomën e ndejës, i akuzuari ka kërkuar nga vajza e tij e mitur A.Q., që t’ia sjellë një gotë ujë.

Aktakuza thotë se pasi vajza ka shkuar në kuzhinë ka dëgjuar një krismë, është kthyer në sallon dhe ka parë babain e saj duke shkrepë armën – pistoletën e markës “Zoraki” dhe atë 6 herë në drejtim të tani të ndjerës-bashkëshortes së tij L.Q

E ndjera thuhet se është goditur në trup dhe si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar.1.3 të KPRK-së.

Ndërsa, në pikën e fundit të aktakuzës i akuzuari Qerimaj ngarkohej se nga data dhe viti i pacaktuar e gjerë më 5 janar 2022 në shtëpinë e tij në fshatin Llaushë, Komuna e Skenderajt, ka mbajtë në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm – Ligjin mbi armët të Republikës së Kosovës, dhe atë pistoletën e markës “Zoraki” model M 9060B.

Sipas aktakuzës, të njëjtën armë i akuzuari pas kryerjes së veprës penale të “Vrasjes” e ka dorëzuar në polici së bashku me tre fishekë.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi