Dënimi

Dënohet me 10 vjet burg Skender Bislimi, i akuzuar për krime lufte ndaj civilëve në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dhjetë vjet burg të akuzuarin për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë në vitin 1999, Skender Bislimi.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti.

Mbi të akuzuarin bien në barrë edhe shpenzimet procedurale.

Ndryshe, sipas aktakuzës, se ngritur me 28 dhjetor 2012 ekziston dyshimi i bazuar se Skënder Bislimi ka kryer veprën penale “krime kundër popullatës civile” si parashikohet me nenet 22 dhe 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht i penalizuar sipas neneve 31 dhe 152 të Kodit Penal të Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 26 mars të vitit 1999, në Fushë Kosovë, në bashkëkryerje me të paktën dhjetë autorë tjerë të njohur dhe të panjohur, duke vepruar si pjesëtarë të forcave të armatosura serbe, Bislimi ka dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e më shumë se 40 cilëve, meshkuj shqiptarë të Kosovës.

Sipas aktakuzës, Bislimi ka aplikuar masat e frikësimit dhe terrorit, dhe ka kryer arrestime ilegale dhe ka marr pengje duke përfshirë këtu edhe viktimat Bujar e Haki Bajrami.

Ndryshe, Ivica Radivojeviq, ka qenë duke u hetuar së bashku me Bislimin në vitin 2012.Pasi Radivojeviq është akuzuar e gjykuar, më 24 maj 2015, është dënuar me gjashtë vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për krime lufte në Kosovë.

Kurse, Bislimi më 9 dhjetor të vitit 2016, ishte ekstraduar nga Bosnja e Hercegovina në Kosovë.