Aida Çoroviq

Dënohet aktivistja serbe që gjuajti me vezë muralin e Ratko Mladiqit

Gjykata e Apelit për Kundërvajtje në Serbi ka nxjerrë aktgjykim të formës së prerë sipas të cilit aktivistja për të drejtat e njeriut, Aida Çoroviq duhet të paguajë mbi 850 euro për gjuajtjen e vezëve në mur dhe sharjen ndaj policëve.

Në aktgjykim thuhej se ajo ka shkelur Ligjin për rendin dhe paqen publike, mirëpo askund nuk thuhet se ajo ka qëlluar në muralin e të dënuarit për kriminel lufte Ratko Mlladiq, në Beograd por se ka “qëlluar në mur”.

Vetë Çoroviq ka thënë për median serbe “Danas” se do të bëjë padi ndaj policisë dhe ndaj shtetit, e më pas edhe në gjykatën ndërkombëtare.

Ngjarja për të cilën ajo u dënua ka ndodhur para dy vitesh dhe në kërkesën për fillimin e procedurës për kundërvajtje, e cila më pas është iniciuar, thuhet se Çoroviq dyshohet për sjellje të pahijshme apo të pamatur dhe ofendim të zyrtarëve në kryerjen e detyrës zyrtare.