Reagim

Dënimi i Krivaqës e Sejdiut, Haxhiu: Gjykim i drejtë, vrasja e Marigona Osmanit, një prej krimeve më mizore në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka cilësuar gjykim të drejtë shpalljen fajtorë dhe dënimin e Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit.

Haxhiu ka thënë se ky është një prej krimeve më mizore të shkaktuara viteve të fundit në Kosovë.

“Gjykim i drejtë për krimin mizor. Gjykata Themelore në Ferizaj shqiptoi dënimin maksimal ndaj një prej krimeve më mizore të shkaktuara viteve të fundit, dhunës deri në vdekje ndaj Marigona Osmanit nga krimineli Dardan Krivaça dhe bashkëpunëtori në krim, Arbër Sejdiu. Ndërgjegja kolektive mbase mund të jetë më e qetë kur drejtësia në emër të popullit, vihet siç duhet. Uroj që drejtësia ndaj rasteve të dhunës e vrasjeve të grave të jetë në nivelin më të lartë profesional, duke shqiptuar dënimet më meritore, të pa ndikuara dhe të pa ngarkuara nga mendime provinciale e patriarkale siç kemi parë në të kaluarën”, shkruan Haxhiu.

Dardan Krivaqa është shpallur fajtor për vrasjen e Marigona Osmanit. I njëjti është dënuar me burgim të përjetshëm.

Vendimi është shpallur sot nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Fajtor për bashkëpjesëmarrje në “vrasje të rëndë”, është shpallur edhe i akuzuari tjetër Arbër Sejdiu.

Sejdiu është dënuar me 15 vite burgim.

Të dy janë liruar nga akuza për veprën penale të dhunimit. Në dënimin e shqiptuar të dyve do t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, tha që familja është është e shqetësuar lidhur me dënimin me 15 vjet burgim për të akuzuarin e dytë.

Ata thanë se do ta apelojnë këtë vendim, pasi sipas tyre edhe Sejdiu, po njëjtë si Krivaqa meriton burgim të përjetshëm.

Vrasja e Marigona Osmanit konsiderohet si një nga më të rëndat që nga paslufta në Kosovë.

Ajo ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.