Dënim i rëndë për çlirimtarin | Afër 11 mijë shqiptarë u vranë në Kosovë, në burgjet e drejtësisë ndërkombëtare vetëm 3 serbë

Salih Mustafa është ish-ushtari i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dënuar për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Mustafa, që gjatë kohës së luftës njihej me nofkën “Cali”, u dënua për veprën penale të torturës, vrasjes së paligjshme dhe për ndalim arbitrar me 26 vjet burgim.

Por, përderisa drejtësia ndërkombëtare po tregohet shumë e ashpër me shqiptarët e Kosovës, të cilët nga dhuna dhe represioni u detyruan të mbrojnë jetën dhe pragun e shtëpisë, krejt të tjera standarde ka përdorur për dënimin e kriminelëve serbë, shkruan Demokracia.com.

Gjatë luftës në Kosovë u vranë 13,535 persona. Ky numër përfshin 10,812 shqiptarë, 2,197 serbë dhe 526 anëtarë të bashkësive të tjera etnike. [Burimi: Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë].

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY/Gjykata e Hagës) akuzoi gjithsej 8 serbë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë, konkretisht Sllobodan Millosheviqin, Milan Milutinoviqin, Nikolla Shainoviqin, Dragoljub Ojdaniqin, Nebojsha Pavkoviqin, Vladimir Lazareviqin, Sreten Lukiqin dhe Vlastimir Gjorgjeviqin.

Sllobodan Millosheviq vdiq në Hagë, ish-presidenti i Serbisë, Milutinoviq, u shpall i pafajshëm, por Gjykata e Hagës i shpalli fajtor 6 individët e tjerë dhe i dënoi ata me 127 vjet burg, e cila u reduktua në 107 vjet përmes procesit të apelimit. Sot, afërsisht 14 vjet më vonë, që nga lëshimi i vendimeve të para nga Gjykata e Hagës në 2009, nga 6 të dënuarit për krimet e luftës të kryera në Kosovë, vetëm tre kriminelë lufte janë në burg për vrasjen e 10,812 shqiptarëve.