Dëmtohet gypi nga gërmimet private, disa lagje dhe fshatra në Prishtinë mbesin pa ujë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se si pasojë e dëmtimit të një grypi në lagjen “Nic” nga disa gërmime private, është ndërprerë furnizimi me ujë nga ai gyp.

Në njoftimin e Ujësjellësit thuhet se si pasojë e punimeve për sanimin e defektit, disa lagje dhe fshatra në Prishtinë kanë mbetur pa ujë të pijshëm deri nesër.

“Punimet individuale, gërmimet private shpeshherë po krijojnë probleme në sistemin e rrjetit të ujësjellësit. Para pak çastesh, rreth orës 20:00, është dëmtuar gypi i ujit me diametër fi 250 mm në lagjen “Nic”, nga disa gërmime private. Me këtë rast, ne do e ndërprejmë furnizimin me ujë nga ai gyp, deri në sanimin e defektit, i cili defekt merr kohë deri ditën e nesërme për shkak të ndërlikueshmërisë së rastit. Pa furnizim me ujë të pijshëm mbesin: Lagjja” Nic”, lagjja” Veternik” pjesët kah lagjja ” Qëndresa”, Çagllavica, fshati Miradi, lagjja” Qershia”, “Swiss Village”, Lagjja ” Priam Village”, thuhet në njoftimin e KUR “Prishtina”.