Mentor Demi, ekspert i fushës së minierave nga Oda e Minierave të Kosovës, në EURO n’T7 ka thënë se gasifikimi i thëngjillit, projekt për të cilin po insiston qeveria, mund të realizohet, por rrethanat kanë ndryshuar shumë dhe koha e nevojshme për fillimin e tij mund të zgjasë deri në 15 vjet.

Sipas tij, Kosova ka mjaftueshëm thëngjill për ta shfrytëzuar për nevoja të ndryshme, por aktualisht nuk ekziston asnjë studim fizibiliteti që tregon se si mund të realizohet gasifikimi, cilat janë përfitimet dhe cilat pasojat e këtij projekti.

Demi ka thënë se, paralelisht me hartimin e një studimi të fizibilitetit për projektin e gasifikimit, i cili mund të zgjasë dy deri në tre vjet, vendi duhet t’i përkrahë projektet që lidhen me gjeopolitikën, siç është projekti i LNG-së, përkatësisht gazit amerikan.

“Projekti i gazit amerikan është çështje strategjike për ne, duke marrë parasysh faktin se edhe shtete që nuk janë aleate të SHBA-së, siç është Serbia, i kanë thënë po këtij projekti. Moskyçja e Kosovës do të ishte skandal në vetvete. Megjithatë, është mirë që për secilin projekt t’i kemi të gjitha parametrat”, ka thënë Demi.

Demi, i cili është ekspert i fushës së minierave, ka thënë se Kosova renditet e treta në Evropë dhe e pesta në botë për rezervat e thëngjillit dhe se është përkrahës i çdo ideje që sjell të mira të përgjithshme për vendin.

Ai ka shpjeguar edhe teknikisht se kur procesi i gasifikimit të thëngjillit do të ishte më i lehtë dhe më efikas.

“Gasifikimi do të ishte më i mirë kur qymyri ndodhet i varrosur dhe mbi të ka shtresa të forta shkëmbore. Në këtë rast, procesi i gasifikimit, djegies së thëngjillit dhe shndërrimit të tij në gaz do të zhvillohej në thellësi të madhe, pa ndotje direkte në sipërfaqe. Për këtë arsye duhet një studim i detajuar i këtij procesi për të argumentuar pse projekti i mëhershëm për termocentral me thëngjill nuk bën, ndërsa projekti i gasifikimit bën. Pra, debati publik duhet të zhvillohet për secilin projekt dhe jo të thuhet vetëm se gasifikimi bën, ndërsa projektet e tjera nuk bëjnë, siç është rasti i gazit amerikan”, ka shtuar Demi.