Dëmi i pariparueshëm që Vuçiqi ua shkaktoi serbëve të Kosovë nga veprimi që “harroi” ta kalkulonte

Vendimi i Listës Serbe që të tërhiqet nga institucionet e Kosovës, e më pas të mos marrë pjesë në zgjedhjet e fundit në veri të Kosovës, ka pasoja të shumëfishta. As më pak e as më shumë, këtë e paralajmëroi Milovan Drecun, anëtar i SNS-së dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Kosovën.

Ai tha se tash është krijuar një situatë ku Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të vendoset nga kryetarët e rinj shqiptarë nga Mitrovica Veriore, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveçani.

Problemet e serbëve nga veriu i Kosovës nuk mbarojnë me kaq, ato vetëm shumohen.

Përpara takimit të ri ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili është caktuar për 2 maj në Bruksel dhe në të cilin duhet të prezantohet drafti i statutit të Asociacionit, kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun zbuloi të gjithë ironinë e “lojës” së cilës ishim dëshmitarë muajt e kaluar.

Gjegjësisht, Drecun tha për RTS se kryetarët dhe këshilltarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga serbët, tani do të vendosin për formimin e Asociacionit.

“Që të miratohet Statuti i Asociacionit, i cili do të propozohet nga ekipi menaxhues serb më 2 maj në Bruksel gjatë vazhdimit të dialogut me Prishtinën, duhet të votohet nga këshilltarët e sapozgjedhur shqiptarë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë. Edhe nëse i pranojnë të gjitha këto, si mund të zbatohet praktikisht në një situatë ku nuk keni këshilltarë dhe kryetarë serbë? Në këtë variant do të mund të formohej vetëm një komunitet që do të ishte i pjesshëm, do të mund të përbëhet nga gjashtë komuna në jug të Ibrit, por këto katër do të dilnin nga korniza e Asociacionit”, tha Drecun.

Fakt është se e gjithë kjo ishte e ditur edhe para zgjedhjeve të mbajtura të dielën, prandaj shtrohet pyetja nëse Lista Serbe dhe autoritetet në Beograd i kanë shkaktuar qëllimisht këto probleme, shkruan media e pavarur serbe, Nova.

“Atë që kërkuan, e morën”

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive dhe ministri në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se vendimi i Listës Serbe për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e fundit në veri të Republikës së Kosovës, përfshin një seri të tërë pasojat. Ai beson se është e pabesueshme që Serbia të pranojë diçka me Marrëveshjen në Bruksel, e më pas me Aneksin në Ohër, dhe pastaj ta shkelë për vetëm pak ditë.

“Ajo marrëveshje praktikisht parasheh që serbët të kthehen në institucione, të marrin pjesë në zgjedhje dhe katër-pesë ditë më vonë Lista Serbe njofton se ata nuk do të bëjnë këtë. Këto zgjedhje janë praktikisht një parakusht për formimin e Asociacionit dhe vendimi i tyre në fakt do të thotë se ata nuk duan të formohet. Dhe tani kemi situatën që kemi. Ajo që ata kërkonin është ajo që morën”, thotë Rashiq.

Ai gjithashtu beson se pa pjesëmarrjen thelbësore të serbëve në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, është e pamundur të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme.

“Me vite kam thënë se Lista Serbe është vetëm një instrument në duart e Beogradit dhe se po e përdorin atë si mjet për të arritur disa nga qëllimet e tyre, të cilat nuk kanë të bëjnë me interesat e serbëve në Kosovë. Shumë herë gjatë atyre viteve tërhoqa vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar për faktin se serbët nga Kosova duhet të përfshihen drejtpërdrejt në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sepse ata jetojnë atje dhe ata e dinë më së miri se cilat janë problemet e tyre më të mëdha. Unë ende mendoj se sot, pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në dialog, është e pamundur të arrihet një zgjidhje, një marrëveshje, e cila më vonë do të mund të zbatohet realisht. Prandaj e kemi situatën që e kemi tani, të gjitha palët janë përgjegjëse për këtë”, thotë Rashiq.