Demantohet Sami Lushtaku: Musa Dervishaj vazhdon të jetë në AKR

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi i cili është edhe nënkryetar i AKR-së, ka reaguar pas postimit të Sami Lushtakut, kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, i cili i uroi mirëseardhje Musa Dervishajt në PDK.

Ballkani.info raportoi më herët sot gjatë ditës se Lushtaku e kishte takuar Dervishajn dhe i kishte uruar rikthim në PDK.

Megjithatë, sipas Matoshit kjo mbetet vetëm dëshirë e Lushtakut, sepse Dervishja vazhdon të jetë pjesë e AKR-së.

“Postimi i Kryetarit të degës së PDK-së në Skenderaj, mbetet vetëm në nivelin e shprehjes së një dëshire të tij. Në fakt edhe s’ka qenë asgjë më shumë. Musa Dervishaj ka qenë në PDK dhe nga atje ka ardhë në AKR ku vazhdon të jetë edhe sot dhe do të jetë edhe në të ardhmen. Musa si gjithë strukturat dhe udhëheqësit e partisë kultivon raporte të mira ndërnjerëzore me të gjithë, përfshirë ish bashkpartiakët e tij. Shihemi në zgjedhje”, ka thënë Matoshi, shkruan Ballkani.info.

Për këtë ka reaguar edhe vet Dervishja.

“Fakti që jam Shef i kabinetit në MMPH që drejtohet nga ministri i AKR-së duhet t’i siguroj të gjithë miqtë e mi të sinqertë se unë mbetem po ai qe isha! “Mirëseerdhe” i thuhet mikut në më shumë se një rast si ky! Faleminderit për drekën të dashur miq! Shihemi në dreka e darka tjera që në këtë kohë “stresi” janë më të shpeshta!”, ka thënë Dervishaj.

Dervishaj ka qenë kandidat i AKR-së në për kryetar të Skenderajt dhe është kryetar i degës së AKR-së në Skenderaj. /Ballkani.info/

loading…