Deputeti i AAK

Demaliaj: Komandant Remi ka dëshmuar në të kaluarën pafajësinë e tij para drejtësisë

Shkumbin Demaliaj, deputet i AAK-së, ka komentuar njoftimin se ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa – Remi do të jetë i intervistuari i parë i Gjykatës Speciale.

Sipas tij, Remi ka dëshmuar më herët pafajësinë para drejtësisë, pasi ai ishte gjykuar edhe më herët për luftën në Kosovë.

“Sinqerisht, është reagim negativ me këto raste sepse zoti Mustafa edhe më herët ishte pjesë e ndjekjes edhe nga ndërkombëtarët dhe besoj se i ka përfunduar këto raste gjykimi, për të ashtuquajturat krime lufte”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se Kosova e ka obligim t’i përgjigjet Speciales, ndërsa ka shtuar se rasti i Mustafës është i dhimbshëm për shkak të gjykimit të disahershëm.

Demaliaj ka përsëritur se kjo gjykatë është e njëanshme pasi gjykohet vetëm lufta e UÇK-së.

“Krimet që kanë ndodhur këtu nga serbët mbeten të pagjykuara. Është për keqardhje sepse po gjykohemi vetëm ne”, ka thënë ai.