Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar nënshkrimin e kontratës për hartimin e planit rregullues të fshatit turistik Delloc, një hap i madh për zhvillimin e turizmit malor në komunë dhe në nivel kombëtar.
Zona turistike, e cila përfshin 750 hektarë, do të kthehet në një destinacion unik në Kosovë, që do të garojë në të ardhmen me Bjeshkët e Rugovës dhe Prevallen. Muharremaj theksoi se Delloci nuk do të jetë vetëm një pasuri e Suharekës, por një atraksion i të gjithë Kosovës.
Sipas tij, plani i detajuar urbanistik do të krijojë një bazë të fortë për zhvillim të qëndrueshëm, duke i hapur rrugën investimeve në infrastrukturë, aktivitete malore dhe turizëm kulturor. Ky projekt synon të tërheqë vizitorë vendorë e ndërkombëtarë, duke e shndërruar Dellocin në një pikë referimi për turizmin e natyrës dhe rekreacionin malor.







