Deputetja e PDK-së

Deliu për Gërvallën: Gjuha e saj ishte në një linjë me atë të përfaqësuesve serbë dhe rusë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra e ka kritikuar Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla për gjuhën e përdorur dje gjatë raportimit në Këshillin e Sigurimit. Ajo tha se gjuha e Gërvallës ishte në një linjë me atë të përfaqësuesve serbë dhe rusë.

“Sot si PDK kemi shfaqur shqetësimet erona me atë që është diskutuar në këshillin e sigurimit. Ne kemi pritur një reflektim jo partiak por shtetëror dhe institucional të ministres së re. Gjuha e saj ishte në një linjë me atë të përfaqësuesve serbë dhe atyre rus. Jemi mësuar të dëgjojmë prej tyre se Kosova është vend i zhytur në krim dhe në korrupsion. Për më keq zonja Gërvalla shpërfaqi petk të saj politik sesa institucional”, ka thënë Deliu-Kodra, në emisionin “Frontal”, në T7.

Sipas saj ka qenë e nevojshme që Gërvalla të përmend në Këshillin e Sigurimit, se Kosova ka elemente të rendit institucional.

“Kam pritur që të pranohet se është një standard i ri në tranzicionin e Kosovës, se zgjedhjet ishin fer, rezultati u pranua nga opozita.  Është mëse e nevojshme që të potencohet se Kosova ka elemente të rendit institucionale”, ka deklaruar ajo.

Më tutje deputetja e PDK-së tha në “Frontal”, se ka pritur edhe përmendjen e zbarkimit të FSK-së në misione paqeruajtëse.

“Kam pritur që ajo të krijojë argumentet e saj që ekzistojnë për zbarkimin e FSK-së në misionet paqeruajtëse. Ne tashmë eksportojmë trupat tanë.  Unë asnjëherë nuk e kisha vënë dilemën tek vajza e heroit. Për mua Donika Gërvalla është ministre e Punëve të Jashtme dhe ka marr detyrën me na përfaqsu neve jashtë vendit”, deklaroi ajo.