Deliu: Kuvendi i Kosovës duhet të themelojë komision të veçantë për mbikqyrjen e menaxhimit të fondeve

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se Kuvendi i Kosovës, duhet të themelojë një komision të veçantë parlamentar për mbikqyrjen e menaxhimit të këtyre fondeve, në mënyrë që të sigurojë një administrim të drejtë të tyre.

“Në anën tjetër, qeveritarëve u mbetet të hulumtojnë format efektive për menaxhimin e kësaj situate të re si dhe të ngrisin fondet e domosdoshme për rikuperimin e pasojave të shkaktuara nga suspendimi i shumë veprimtarive ekonomike nga pandemia”, ka shkruar Deliu në një postim në rrjetin social Facebook.

Ky është postimi i plotë i Blerta Deliut:

Prej muajit tjetër presim t’i bëjmë hapat e parë të kthimit gradual në normalitet. Respektimi i mëtutjeshëm i rekomandimeve të profesionistëve si t’i adaptohemi situatës së re, në mënyrë që lehtësimi i masave të mos krijojë një gjendje kaotike dhe me rrezik të shpërthimit të rasteve të reja të infektimit, do të jetë testi ynë si shoqëri e udhëhequr nga një kulturë e vetëdijes së përgjithshme dhe jo e imponimit nëpërmjet shtrëngimit të lirive.

Në anën tjetër, qeveritarëve u mbetet të hulumtojnë format efektive për menaxhimin e kësaj situate të re si dhe të ngrisin fondet e domosdoshme për rikuperimin e pasojave të shkaktuara nga suspendimi i shumë veprimtarive ekonomike nga pandemia.

Komisioni Evropian tashmë ka dedikuar 100 milionë euro për ta ndihmuar Kosovën dhe me siguri do të pranojmë edhe fonde tjera (nga shtete dhe organizata të caktuara) për tejkalimin e kësaj krize shëndetësore.

Menaxhimi korrekt i këtyre fondeve, në njëfarë mënyre, do të përcaktojë edhe sjelljen e përgjithshme shoqërore. Prandaj, Qeveria, medoemos duhet të ndjehet transparente dhe llogaridhënëse ndaj masave ekonomike që do t’i praktikojë në subvencionimin e ekonomive dhe kategrorive të prekura nga pasojat e pandemisë.

Kuvendi i Kosovës, në ndërkohë, mendoj se duhet të themelojë një komision të veçantë parlamentar për mbikqyrjen e menaxhimit të këtyre fondeve, në mënyrë që të sigurojë një administrim të drejtë të tyre.