Deliu-Kodra: Si mund të shkohet në dialog kur zyrtarë serb kërkojnë fshehjen e krimeve serbe

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra thotë se gjetja e varrezave të reja masive në Serbi dëshmon krimet e Serbisë.

Ajo thotë në Kuvend se nëse kërkohet të mos flitet për këtë temë atëherë po heshten krimet serbe.

Deliu-Kodra thotë se nuk mund të shkohet në dialog në kohën kur zyrtarët serb kërkojnë të fshihen krimet serbe.

Nëse ndërmjetësuesit e dialogut e përkrahin agjendën serbe për luftën çlirimtare, atëherë Kryeministri nuk mund të thirret në paanshmëri dhe Qeveria bëhet pjesë e ndërmarrjes për ndryshimin e historisë, thotë Deliu-Kodra.

“Në një kohë kur gjenden varreza të reja masive në Serbi me të vrarë shqiptarë. Presidenti serb në këtë kohë kërcënon me luftë, e ministri i jashtëm kërcënon qytetarët për të mos treguar për krimet serbe. Kjo po dëshmon krimet që ka bërë Serbia. Shteti serb po kërkon këto krime mos të zbulohen. Jemi dëshmitarë të asaj që po ndodhë sot. Kërkesat që kjo temë të heshtet, heshten krimet serbe. Është i pafalshëm heshtja e BE-së ndaj krimeve serbe. Si mund të shkohet në dialog kur zyrtarë serb kërkojnë të fshihen krimet serbe. Nuk ja kemi borgj askujt lirinë tonë, sa na ka kushtuar ajo po dëshmohet çdo ditë. Kryeministri nuk duhet të negociojë të vërtetën tonë, nëse ndërmjetësuesit e përkrahin agjendën serbe për luftën tonë çlirimtare atëherë Kryeministri nuk mund të thirret në paanshmëri dhe Qeveria bëhet pjesë e ndërmarrjes së ndryshimit të historisë. Ka tentativa të vazhdueshme për të ndryshuar të vërtetën tonë historike“, deklaroi Deliu-Kodra në Kuvendin e Kosovës.