Deliu-Kodra përplaset me Bislimin për veriun: I keni shkaktuar dëme Kosovës

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është duke raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me marrëveshjen për targat. 

Gjatë një debati me deputeten e PKD-së, Blerta Deliu-Kodra, kjo e fundit e ka akuzuar Bislimin se Kosovës i janë shkaktuar dëme të mëdha me qasjen në dialog, duke shtuar se është një “terr informativ” sa i përket marrëveshjes për targa.

“Konsideroj se i keni shkaktuar dëme Kosovës. Keni shkaktuar situatë, ku s’kemi funksion të institucioneve në veri të vendit. Kemi zero funksionim. Përtej faktit se kemi bërë të mundur funksionimin e pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak, kemi zero funksionim tash në atë pjesë. Gjithë këtë e keni bërë brenda një viti, me veprimet tuaja të pamatura. Nuk është dëm i vogël. Kemi dhënë mbështetjen si opozitë për të shtrirë sovranitetin në veri, por duhet të flasim hapur, veriu nuk është i njëjti si para tri vjetëve. Nuk ka funksionim të institucioneve”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Bislimi i është kundërpërgjigjur duke i thënë se nëse thirrni në seancë për raportim për proces të dialogut, siç ka thënë ai “ju tregoj gjitha të arriturat tuaja në veri”.

“Sikur ju të kishit çerekun e informacioneve që unë i kam se si është prezantuar Kosova deri në vitin 2021 në dialog, e si përfaqësohet tash, do të turpëroheshit të vinit në këtë seancë. Vetëm çerekun e informacioneve. Por, nëse thirrni në seancë për raportim për proces të dialogut, ju tregoj gjitha të arriturat tuaja në veri. Në sundimin e ligjit, kontrabandën, laboratorët e drogës, rrugët ilegale, përdorimi i dinarit, zgjedhjet e Serbisë në veri, mospagesa e rrymës, mospagesa e tatimit, mospagesa e ujit, targat e Millosheviqit, gjitha të arriturat ju numëroj e flas për shkatërrimin që kemi bërë të sukseseve tuaja. Duhet të jetë seancë tjetër, ku krahas të arriturave tuaja ju tregoj shkatërrimet tona”, tha Bislimi.