Deliu Kodra: PDK-ja nuk merret me grafite të territ, Adelina Grainca ta dorëzojë mandatin e deputetes

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, ka reaguar pas akuzave ndaj partisë së saj për grafitet fyese në muret e shtëpisë së deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Deliu Kodra ka mohuar akuzat, duke thënë se PDK-ja nuk fshihet dhe nuk merret me grafite të territ për ta thënë të vërtetën që sipas saj, është e qartë si drita, duke kërkuar ndër të tjera edhe dorëzimin e mandatit të deputetes nga Grainca.

Ajo ka thënë se Grainca garoi për herë të parë dhe u bë deputete edhe kur PDK-ja pati rezultatin më të ulët elektoral, pikërisht pasi sipas saj, kjo parti i dha shumë hapësirë deputetes nga Ferizaj.

“PDK-ja dhe rinia e PDK-së, i patën dhënë hapësirë dhe mbështetje të plotë kandidimit të Adelina Graincës, e përmes shembullit të saj, dhanë një mesazh të fuqishëm për çdo të ri e të re që kërkon adresë për angazhim politik. Madje, në një kohë kur PDK-ja doli me rezultatin më të ultë elektoral, Adelina Grainca që garoi për herë të parë, ia doli që të zgjidhet deputete, si një nga 6 gratë e vetme të PDK-së në Kuvend, pikërisht falë hapësirës që iu dha nga PDK-ja dhe mbështetjes që ia dhanë votuesit e saj.”, ka shkruar ajo në Facebook.

Por Deliu Kodra thotë se Grainca tradhtoi besimin e qytetarëve pas kalimit të saj në VV.

“Adelina Grainca që u zgjodh deputete nga votat e mbështetësve të PDK-së, e tradhtoi besimin e tyre, duke nisur jetën politike në mënyrën më të padenjë të mundshme. Mandati i saj i trafikuar padenjësisht në Vetëvendosje, është mandat i votuesve të PDK-së dhe atyre që kanë besuar në Rimëkëmbjen, e nuk mund të shndërrohet kurrë në mandat politik për dikë tjetër.”, ka shkruar deputetja e PDK-së.

Adelina Grainca, u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës nga lista e PDK-së, por, rreth dy javë ditë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, në ditën e zgjedhjes së Osmanit presidente, ajo zgjodhi të ndërronte subjektin politik. Kaloi nga radhët e PDK-së në Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti.

Ndërsa, gjatë mbrëmjes së djeshme në pjesët e murit rrethues të shtëpisë ku banon deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, disa persona të panjohur kanë shkruar grafite fyese.

“Bijat i shesim, votat i qesim” shkruhan në grafitet që u bënë në murin e shtëpisë së Graincës.

Ky është postimi i plotë i Deliu Kodras:

PDK-ja dhe rinia e PDK-së, i patën dhënë hapësirë dhe mbështetje të plotë kandidimit të Adelina Graincës, e përmes shembullit të saj, dhanë një mesazh të fuqishëm për çdo të ri e të re që kërkon adresë për angazhim politik.

Madje, në një kohë kur PDK-ja doli me rezultatin më të ultë elektoral, Adelina Grainca që garoi për herë të parë, ia doli që të zgjidhet deputete, si një nga 6 gratë e vetme të PDK-së në Kuvend, pikërisht falë hapësirës që iu dha nga PDK-ja dhe mbështetjes që ia dhanë votuesit e saj.

Por Adelina Grainca që u zgjodh deputete nga votat e mbështetësve të PDK-së, e tradhtoi besimin e tyre, duke nisur jetën politike në mënyrën më të padenjë të mundshme. Mandati i saj i trafikuar padenjësisht në Vetëvendosje, është mandat i votuesve të PDK-së dhe atyre që kanë besuar në Rimëkëmbjen, e nuk mund të shndërrohet kurrë në mandat politik për dikë tjetër.

Kjo është e vërteta e sheshtë dhe PDK-ja sheshazi ia kërkon Adelina Graincës dorëzimin e mandatit. PDK-ja nuk fshihet dhe nuk merret me grafite të territ për ta thënë të vërtetën që është e qartë si drita.