Deliu-Kodra: Deklarata për të akuzuarit në rastin “Kumanova”, është nxjerr nga konteksti

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, është sqaruar edhe një herë lidhur me deklaratat për rastin “Kumanova”. Ajo në emisionin “Frontal”, në T7 ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka ardhur me akuza dhe shpifje në Kuvend.

Deputetja e PDK-së, tha se deklaratat e pozitës kundrejt të opozitës kanë qenë të papranueshme.

“Ministrja e Drejtësisë ka ardhur me akuza në Kuvend, ndaj deputetëve të opozitës, me shpifje dhe me etiketime që natyrisht nuk i shkojnë një Qeverie e veçanërisht një mazhorance e cila ka një përkrahje bukur të madhe në Parlament. Për mua ka qenë e papranueshme që niveli i tillë i Qeverisë ta atakojë ta them Kuvendin e ta atakojë opozitën”, ka thënë ajo.

Më tutje, ajo deklaroi se replika e saj me ministren Haxhiu është nxjerrë nga konteksti.

“Unë kam pritur që ne bashkërisht as të mos krekosemi për rezultatin zgjedhor si PDK, por as të mos etiketohemi e të ofendohemi, e të shpifet në drejtim të opozitës. Në një replikë timen në drejtim të ministres, unë kam thënë, kam përmendur diçka për të cilën natyrisht që është nxjerr prej konteksti dhe assesi nuk kam akuzuar ata djem për terrorizëm. Unë kam thënë që ekziston një aktakuzë, por asnjëherë nuk kam akuzuar djemtë në Kumanovë për terrorizëm”, ka thënë më tutje ajo në “Frontal”.