Deliu-Kodra: Anëtarët e PSD-së s’e kanë ndjeshmërinë e njëjtë sikur kur ishin në VV

Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane ka miratuar projektligjin për ndryshimin e ligjit për financimin e subjekteve politike.

Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji ka pasur mendime pro dhe kundër ku dy partitë opozitare, LDK ka votuar kundër këtij projektligji dhe Vetëvendosje ka lëshuar mbledhjen.

Fillimisht anëtarja e këtij Komisioni Fatmire Kollçaku nga VV duke kundërshtuar projektligjin në fjalë, ka propozuar që ky projektligj të mos të hedhet në votim, por të kërkohet mendimi i ri në Komisionin e Venecias.

Kollçaku tha se për projektligjin për ndryshimin e ligjit për financimin e subjekteve politike, ka pasur vërejtje edhe zyra e Bashkimit Evropian.

Prandaj në lidhje me këtë, deputetja e Vetëvendosjes nuk ka marrë pjesë në votim e po ashtu e ka lëshuar mbledhjen.

“Ne propozojmë që ky projektligj të mos të hedhet në votim, por t’i kthehet për mendim me kërkesë të krye parlamentarit për një mendim të ri të Komisionit të Venecias , që të jemi në rregull. Sepse tashmë me të gjitha amendamentet dhe ndryshimet, tashmë nuk është i njëjti. Apo eventualisht që ky draft t’i kthehet Komisionit ad-hoc që është në kuadër të reformës zgjedhore, sepse si i tillë është i pa pranueshëm të votohet, nuk njeh asnjë praktikë të ndonjë projektligji të ndryshuar dhe Zyra e BE-së ka pasur vërejtje pasi që është miratuar në Komisionin funksional për shkak të një Zyre e cila nuk parashihet tashmë në kuadër të KQZ-së. Prandaj, përfshirë të gjitha këto vërejtje, ne nuk do të marrim pjesë në votim të këtij projektligji”, theksoi Kollçaku.

Ndërsa, anëtari i këtij Komisioni, Visar Ymeri tha se Kushtetuta e njeh lirinë e deputetit dhe përcaktimin e tij të lirë jo vetëm për votë, por edhe për qëndrime politike e grupime politike brenda Kuvendit të Kosovës dhe sipas kësaj fryme të Kushtetutës duhet edhe ligjet tjera të nxjerrën në vijë me këtë.

Ymeri tha se ajo që është kërkuar nga PSD është që të drejtat që Grupet Parlamentare që i gëzojnë brenda Kuvendit të jenë në përputhje me mundësinë e krijimit të tyre.

“Ne nëse sot e kemi me të gjitha ligjet mundësinë e krijimit të një Grupi Parlamentar nga jo më pak se gjashtë deputet, mundësia e krijimit e Grupit Parlamentar do të duhej të përcillet pastaj me përgjegjësitë të cilat mbështeten karshi një Grupi parlamentar që i gëzojnë të tjerat në kuvend. Në përputhje më këtë, kemi propozuar që edhe Ligji për financimin e partive politike të ndryshohet në atë , që GP-të ta gëzojnë të drejtën e financimit nga Fondi për Demokratizim. Konsiderojmë që një e drejtë e tillë e mundëson demokratizimin e vendit. Sepse kështu ja pamundëson arbitraritetin e autoritarizmin e kryetarëve të partive karshi deputetëve”, deklaroi Ymeri.

Ndërsa, kryetarja e këtij Komisioni, Blerta Deliu Kodra tha se forcat politike në Kuvend tash e tutje do të bëhen në bazë të grupeve parlamentare e jo në bazë të deputetëve, kjo ka qenë një kërkesë nga PSD-ja dhe që ka kaluar në Grupin Punes dhe është miratuar në Komisionin funksional.

Deliu Kodra tha se me ligjin aktual që është në fuqi PSD-së nuk i lejohet që të merr mjete nga fondi për mbështetjeje të partive politike për 12 deputetë. Ndërsa, ajo kujtoj se anëtarët e PSD-së nuk e kanë pasur ndjeshmërinë e njëjtë sikur kur kanë qenë në VV, lidhur me dy deputetë të Lëvizjes për Bashkim.

“Do ta mbështes vetëm si ide e mirë që ka ardhur. Anëtarët e PSD-së kur kanë qenë në VV nuk e kanë pasur ndjeshmërinë e njëjtë në raport me dy deputet të LB-së, Agim Kuletës dhe të Aurora Bakallit, ndonëse fjala ka qenë për dy deputet e jo për një grup parlamentar, por kjo nuk e minimizon rëndësinë e dy deputetëve që kanë dal prej grupit”, tha Deliu Kodra.

Armend Zemaj, nga LDK tha se Kuvendi duhet të jetë i kujdesshëm për këtë ligj dhe shtoi se do të duhet t’i takonte edhe reformës të plotë zgjedhore.

Zemaj tha se do të votoj kundër këtë projektligji që mundëson rishpërndarjen e mjeteve për deputetë, pa u krye reforma zgjedhore.

“Duket se është selektiv, është për ta kaluar këtë fazë, por pa e rregullua sistemin në tërësi… Është e pa drejtë mënyra se si po shtrohet dhe si po dëshirohet të rregullohen gjërat. Kjo më shumë duket imponim i momentumit. Imponim i Grupit të tyre politik ndaj mazhorancës, e cila nuk ka numra adekuat për me mbrojtur një të drejtë”, theksoi Zemaj.

Ndërsa, Zenun Pajaziti nga PDK-ja tha se një nismë e tillë që vjen si rezultat i një gjendjeje reale që është tani në skenën politike në Kuvend, nuk është e logjikshme që mos me u përkrah iniciativa e PSD-së.

“Mirë që ka ndodhur kjo nismë, sepse është një realitet krejt i ri… ndryshimet e tilla i bëjnë mirë profilizimit të skenës politike në Kosovë… Nismat e tilla do ta ndihmojnë të ketë edhe demokraci të brendshme”, tha Pajaziti.

Për transferimin e deputetëve në grupe tjera, Ismet Beqiri tha se kjo bëhet vetëm për para dhe asnjë herë për parime.

“Ne duhet ma ia heq ‘dushkun’ kësaj çështje, sepse kjo bëhet për para nuk bëhet për parime, mirë do të ishte nëse bëhet për parime. Ai grup, ose ata deputetë dëshirojnë me i marrë (paratë), qoftë si individ qoftë si Grup Parlamentar. Kjo është më se e qartë… Lista është e hapur, por pa logo të partisë… le të del dikush në listë ta pavarur, por pa logo të një partie nuk është njësoj”, tha Beqiri.

Ndërsa, i drejtpërdrejt në këtë, ishte deputeti Milazim Zeka, i cili tha se sikur t’ia ndante partia Nisma paratë, që sipas tij, i takojnë 30 mijë euro, nesër do ta lëshojë partinë.

“Ana financiare në Kosovë është bazamenti i krejt problemeve. P.sh, sikur unë t’i kisha marrë këto paratë e NISMA-s që më takojnë rreth 30 mijë euro, unë nesër e kisha lëshuar Nismen, Visar. Hiq s’kisha nejt dy minuta në NISMA. Ne me logo të partive politike kemi hyrë në parlament, unë kam hyrë me logo të NISMA-s dhe mbi bazën e kësaj NISMA fort i ka hallall ato para të mija që s’mi jep”, theksoi Zeka.

Ndërsa, gjatë ditës ky projektligj është diskutuar edhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.