Deliu akuzon ministren Haxhiu: Ministrja po i jep zë krimit

Pas skandalit të ambasadorit Martin Berishaj ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka akuzuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se po i jep zë krimit përmes heshtjes së saj mbi raportimet e përfshirjes së ambasadorit Martin Berishaj në një skandal shpëlarje parash.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Deliu-Kodra ka paralajmëruar se me ose pa vullnetin e shumicës parlamentare, Komisioni Hetimor në lidhje me dyshimet për keqpërdorim gjatë krizës energjetike do të themelohet, pasi që dyshohet se ambasadori Berishaj është i përfshirë në këto keqpërdorime të cilat po pretendon opozita.

Reagimi i plotë i deputetes Blerta Deliu-Kodra, pa ndërhyrje:

Ministrja e Drejtësisë, nuk ka rast të mundshëm që nuk e përdor e keqpërdor për të krijuar idenë e një mbrojtjëse të drejtësisë; duke na treguar përkushtim për rend e ligj, për luftë kundër korrupsionit, për transparencë e llogaridhënie.

Tash e disa ditë heshtje nga ajo për skandalin e pushtetit në emër të së cilit qeverisë. Duke heshtur për megaskandalin që përfshin ambasadorin tonë në Kroaci, i cili mes tjerash, ka bërë vepër penale duke fshehur pasurinë e deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion, Ministrja po i jep zë krimit.

Prandaj, ministrja e Drejtësisë duhet të mbajë qëndrim publik lidhur me rastin; për hetimin e pasurisë së tij, për dyshimin e përfshirjes në shpëlarje parash e përfitim nga “mafia serbe e energjetikës.

Duhet të mbajë qëndrim politik edhe nëse Ambasadori Berishaj duhet të shkarkohet apo vazhdojë punën sikur asgjë s’ka ndodhur?!

E për t’ju dhënë përgjigjie shumë pyetje, komisioni hetimor do të themelohet, me ose pa vullnetin e mazhorancës.