“Defence 24 Days”

Delegacioni i Kosovës merr pjesë në konferencën “Defence 24 Days” në Varshavë

Delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, në përbërje të të cilit është ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti dhe përfaqësues nga FSK-ja, po merr pjesë në konferencën dyditore “Defence 24 Days, që po mbahet në Varshavë.

Kjo konferencë i kushtohet çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë, sfidat dhe situatën aktuale dhe të ardhshme gjeopolitike, parandalimin dhe mbrojtjen në epokën e luftës.

Siç bën me dije komunikata e MPJD-së, si një prej konferencave më të mëdha dhe më të rëndësishme të sigurisë në Evropë, “Defence24 Days” është një mundësi e mirë e diskutimit mes përfaqësueseve më të lartë shtetërorë, ekspertëve, civilëve dhe ushtarakëve, rreth sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë.

Përmes diskutimeve në panele Kosova do të paraqesë pikëpamjet, angazhimin dhe kontributin e saj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Gërvalla gjatë kësaj konference do të ketë takime me udhëheqës të lartë të Polonisë, të shteteve tjera pjesëmarrëse në konferencë, përfaqësues të institucioneve rajonale dhe globale, civile dhe ushtarake.