Del aneksi i zbatimit të marrëveshjes në Bruksel, puna për Asociacionin nis 15 ditë pas nënshkrimit

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh publikisht se ishte i gatshëm ta nënshkruante propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Tashmë, në media është publikuar edhe aneksi i zbatimit të saj.

Ky aneks i zbatimit i publikuar nga Paparaci është i ngjashëm me atë që ishte publikuar më herët nga ana e Dukagjinit.

Edhe aty shkruhet se brenda 15 ditëve pas nënshkrimit të marrëveshjes bazë, Ekipi Menaxhues duhet të paraqes një draft të marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në bazë të deklarimeve të palës serbe, pikërisht çështja e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjeve del të jetë çështja problematike që mund të ketë shtyrë nënshkrimin për herën tjetër.

Ata u munduan t’i linin fajin Kurtit për këmbënguljen e tij për Asociacionin.

Menjëherë pas draftit për statutin e Asociacionit nga ana e ekipit menaxhues, thuhet se “Palët do të fillojnë menjëherë negociatat për Statutin nën lehtësimin e BE-së”.

Nga kjo mund të kuptojmë se pikërisht çështja e Statutit të Asociacionit është bërë tema kryesore e aneksit të zbatimit. Në pikën 4 të Aneksit, thuhet që menjëherë pas nisjes së negociatave, palët do të mundësojnë zyrtarisht “hyrjen në fuqi” të njohjes reciproke të dokumenteve përkatëse dhe shkëmbimit të misoneve të përhershme.

Aty përmendet po ashtu se brenda 30 ditëve pas nënshkrimit, Palët do të krijojnë një Komitet të Përbashkët të Monitorimit të zbatimit të Marrëveshjes, që kryesohet nga ana e Bashkimit Evropian.

Po ashtu, janë dhënë vetëm 30 ditë kohë për zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Ndërkohë, pesë muaj më pas (150 ditë më vonë), BE-ja me donatorë tjerë do të organizojë një konferencë investimesh për mbështetje financiare për Kosovën dhe Serbinë.

Nuk dihet nëse ky udhërrëfyes i zbatimit do të jetë në agjendën e takimit të datës 18 mars 2023.