Deklarohet Osmani pas përfundimit të Samitit: Morëm mbështetje për vizat, por duhen hapa konkret për liberalizim

Pas përfundimit të samitit mes BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se vendi ka marrë përkrahje deklarative nga vendet anëtare të BE-së, në të gjitha fushat.

Osmani tha se Shumica dërmuese janë deklaruar pro liberalizimit të vizave.

“Në radhë të dytë, shumica kanë përkrahur në përgjithësi perspektivën evropiane për Kosovën, që jep sinjal të mirë se pasi të aplikojmë për statusin e vendit kandidat, do të trajtohet me seriozitet dhe së treti, Kosova është falënderuar nga shumica dërmuese e shteteve që t’i bashkohet BE-së dhe të bashkërendohet me BE-në, sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë”, tha presidentja Osmani.

Duke dashur të sqarojë se ky nuk ka qenë forumi ku votohet për liberalizimin e vizave, presidentja e Kosovës rikujtoi se ky ishte forum ku janë dhënë vetëm deklarata politike.

“Prandaj dua të them se për herë të parë kemi dëgjuar deklarata mbështetëse edhe nga disa shtete që në të kaluarën kanë qenë hezituese, e ku janë dhënë sinjale shumë pozitive”, tha Osmani për RTK-në.

“Por e përsëris se vendimi nuk merret në këtë format. I takon më vonë Këshillit të Ministrave”, tha ajo.

Sidoqoftë, presidentja e Republikës, u shpreh se nga ajo që ka dëgjuar sot, ka shpresa që liderët që ishin prezent, do ta shtyjnë përpara sa më shumë të jetë e mundur këtë çështje.

“Në aspektin deklarativ, mbështetja ishte aty. Asnjë shtet i vetëm nuk u deklarua kundër liberalizimit të vizave, asnjë i vetëm. Por tash përveç deklaratave kemi nevojë për veprime konkrete, kemi nevojë për votim, e kemi nevojë që të ecim përpara me një vendim konkret që do t’u lejonte qytetarëve tanë liberalizimin e vizave”, tha Osmani..

Presidentja Osmani tha se Kosova i ka dhënë të gjitha argumentet dhe e ka kryer punë e vet, e tani i takon BE-së që të veprojë.