Deklarohet i pafajshëm për korrupsion zyrtari i lartë i ATK-së

Prishtinë- I akuzuari Burim Troni u deklarua i pafajshëm për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, në seancën fillestare e mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në  Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Bekim Kodraliu, i akuzuari Troni pas konsultimit edhe me mbrojtësin e tij, avokatin Hekuran Haxhimusa u deklarua i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.

“Nuk e pranojë fajësinë”, ka deklaruar Troni

Pas deklarimit të bërë nga i akuzuari, gjykatësi Ertan Sejfulla e njoftoi atë se brenda 30 ditësh, i njëjti mund të paraqes kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sipas aktakuzës së vitit 2021, Burim Troni po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, respektivisht Ndihmës Drejtor në Drejtorin Rajonale të Prishtinës në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 para. 1 pika 1.3 të Ligjit për Deklarim, Prejardhje dhe Kontrollimin…, duke mos i deklaruar saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarim të pasurisë në atë mënyrë qe i njëjti në dy deklarimet e fundit të pasurisë dhe në deklarimin me emërimin ne pozitën e zyrtarit të lartë publik më datën 3 maj 2019, si dhe në formularin për deklarimin e pasurisë për periudhën raportuese 1 janar-31 dhjetor 2019, nuk e ka deklaruar biznesin e prindit të tij, respektivisht nënës si pronare e biznesit “Jasemine Troni B.I” me emrin tregtar N.T.Sh, “Jehona”.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se, nga biznesi “Cement Plus For Building Materials L.L.C”, ku pronar prej 35% është babai i të akuzuarit Izahir Troni, nuk i ka deklaruar të hyrat respektivisht fitimin e qarkullimit për vitin 2019 në shumën prej 779,618,97 euro të deklaruara në Administratën Tatimore të Kosovës,  përkundër faktit se i njëjti në të dy formularët për deklarim të pasurisë , të protokolluara në Agjensinë Kundër Korupsionit me 03 maj 2019 dhe me 19 qershor 2020, ka deklaruar se jeton në bashkësi familjare me të dy prindërit.

Me këtë ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2, të Kodit Penal, për të cilën është paraparë me gjobë dhe me burgim prej gjashtë  muaj deri në pesë vjet.

Vepra penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, është vepër e cila hyn në kuadër të kapitullit “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi