Deklarohet i pafajshëm ish-sekretari i MI-së, që akuzohet për disa vepra penale

Në Gjykatën e Prishtinës, u mbajt shqyrtimi fillestar kundër ish- sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica i cili po akuzohet për disa vepra penale, ndër to, ushtrim ndikimi, shpëlarje parash duke përfshirë edhe dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Përpos tij në këtë rast Prokuroria Speciale i akuzon edhe tre zyrtarë të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, me akuzën për keqpërdorim detyre.

Në këtë shqyrtim palët e akuzuara u deklaruan rreth fajësisë dhe të gjithë u shprehen se nuk ndihen fajtor për akuzat që i rëndojnë.

“Në asnjë pikë të aktakuzës nuk e ndjej veten fajtor”, tha Betim Reçica.

Pas kësaj avokati i tij mbrojtës, Florim Vërtopi, kërkoi nga gjykata që të caktohet edhe mbajtja e shqyrtimit të dytë në mënyrë që të njëjtit të kenë mundësi të shfrytëzimit të së drejtës për kërkesë për të hedhur poshtë aktakuzën.

“Unë e vlerësoj shumë pjesën që lidhet me nenin 245, desha të potencoj që ne si mbrojtje mendojmë se është e vlefshme që të parashihni të mbahet edhe shqyrtimi i dytë ku do të deponojmë edhe kërkesën për hedhje të provave dhe të aktakuzës, mundësisht me pas afat të caktuar prej momentit që dorëzohet kërkesa që edhe prokuroria të mund të dërgoj përgjigjen e saj”, tha Vërtopi.

Sipas Prokurorisë, Betim Reçica, në cilësinë e ish- U.D drejtorit të prokurimit brenda Ministrisë së Infrastrukturës, kishte ndikuar tek anëtarët e komisionit rivlerësues për tenderin e ndërtimit të Autostradës së Gjilanit, duke ushtruar presion tek anëtarët e komisionit që rivlerësimin ta kryejnë për 10 ditë.

Madje, sipas aktakuzës Reçica i kishte kërkuar komisionit që paraprakisht të vinin në takim me ministrin e atëhershëm e pastaj ta shpallnin fitues kompaninë “Gjoka Konstruction” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit.

Kallxo. ka provuar të marrë koment lidhur me këtë nga Betim Reçica dhe Pal Lekaj, por të dy kanë qenë të pa-qasshëm në telefon deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Akuzë tjetër e ngritur ndaj  Reçicës është se gjatë kohës sa ishte sekretar i Ministrisë së Infrastrukturës kishte marrë një vendim me të cilin në mënyrë të kundërligjshme u kishte dhënë paga shtesë 14 zyrtarëve të ministrisë edhe pse ishin të angazhuar me detyra të rregullta të punës.

Reçica, pos tjerash, akuzohet edhe për shpërlaje të parave pasi sipas Prokurorisë me qëllim që të fshehte prejardhjen e parave kishte blerë një veturë Audi F2 S7 sport të vitit 2019 dhe të njëjtën e kishte regjistruar në emër të vëllait të tij.

Ndërsa zyrtarët Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, akuzohen se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare pasi që fitues e kishin shpallur një operator ekonomik i cili nuk i plotësonte kriteret e çmimit më të ulët për tender.