Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në shqyrtimin fillestar, të akuzuarit Tomislav Dimiq, Mensur Stagova, Vladan Ljubiq, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Çaviq, Mirko Jevtiq dhe Arben Aliu janë deklaruar të pafajshëm për marrje dhe dhënie ryshfeti në pikën kufitare Hani i Elezit.

Kurse, për të akuzuarit Ahmet Abazi, Sabri Spahiu, Bajram Krasniqi dhe Dardan Isaj, prokurori special Naim Abazi propozoi që të veçohet procedura penale meqenëse të njëjtit kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”

Ky propozim u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit Verodrag Miletiq, avokati Alban Makolli, i cili tha se është e padrejtë veçimi i procedurës pasi që kjo do të ishte në dëm të të mbrojturit të tij i cili dyshohet se ka marrë ryshfet pikërisht nga i akuzuari Ahmet Abazi.

Propozimi i tillë, nuk u kundërshtua nga mbrojtësit të tjerë dhe u aprovua nga trupi gjykues.

Ndryshe, në këtë seancë nuk ishte i pranishëm i akuzuari Ahmet Abazi, për të cilin gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj tha se i njëjti e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt por mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Pasi që të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, gjykatësja Musliu-Selimaj të njëjtit i njoftoi se brenda afatit prej 30 ditësh mund të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 13 shkurt 2024, thuhet se prej muajit shtator 2021 deri në muajin korrik 2022, në pikëkalimin kufitar tek Hani i Elezit, gjegjësisht në zyrën e evidencës paraprake, si dhe gjatë patrullimit si Njësi e Anti-Kontrabandës, në pjesën veriore por edhe në pjesë tjera të vendit, të akuzuarit Tomislav Dimiq, Mensur Stagova, Vladan Ljubiq, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Caviq, Mirko Jevtiq në cilësinë e zyrtarëve doganorë, dhe i akuzuari Arben Aliu në cilësinë e zyrtarit policor, në vazhdimësi secili veç e veç por edhe duke bashkëvepruar me njëri-tjetrin, në mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë pranuar mjete monetare në shuma të ndryshme nga vozitës të kompanive të ndryshme dhe persona të tjerë tani për tani të paidentifikuar.

Aktakuza thotë se ryshfetin, të akuzuarit e kanë pranuar në mënyrë që të veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, duke iu mundësuar atyre që të kalojnë më shpejtë, por edhe duke shmangur mbikëqyrjen e rregullt doganore dhe kontrollin e rregullt kufitar, rrjedhimisht duke vepruar në kundërshtim me nenin 41 par. 1, të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës, nenin 10 të Ligjit Nr. 04/L-076 për Policinë e Kosovës dhe nenin 12 të Ligjit nr.04/L-072 për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror.

Me këtë, të akuzuarit Dimiq, Stagova dhe Ljubiq akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, e sanksionuar me nenin 421, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, Sejdiu ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par.1 dhe par. 2 lidhur me nenin 77 t kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, e sanksionuar me nenin 421, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 Kodit Penal.

Kurse, të akuzuarit Aliu dhe Miletiq sipas aktakuzës kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” e sanksionuar me nenin 421, paragrafi 2 të Kodit Penal.

Po ashtu, të akuzuarit Dimiq, Ljubiq, Stagova, Miletiq, Caviq, Sejdiu dhe Jevtiq, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale “Marrja ryshfetit” e sanksionuar me nenin 421, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Ndërsa, të akuzuarit Sabri Spahiu, Ahmet Abazi dhe Bajram Krasniqi sipas aktakuzës ngarkohen me veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.2 të Kodit Penal. Po ashtu, i akuzuari Dardan Isaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Isaj në terminalin doganor në Mitrovicë, në cilësi të pronarit të “D-Mobile Store” – Ferizaj, pas pagesës së mallit të sekuestruar nga Dogana dhe përmbushjes së detyrimeve doganore, me rastin e tërheqjes së mallit, sipas kërkesës së akuzuarit – zyrtarit doganor Sejdiu, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë ryshfet në shumën prej 200 euro.

Ndërsa, i akuzuari Spahiu ngarkohet se në terminalin doganor “ZPD Interevropa” në Prishtinë, në cilësi të shpediterit – personit përgjegjës për përgatitjen e dokumentacionit për zhdoganim të mallit, para plotësimit të dokumentit doganor (DUD) për zhdoganim të mallit të subjekteve “D-Mobile” sh.p.k dhe “D-Mobile Store” sh.p.k në Ferizaj, është dakorduar me të akuzuarin Sejdiu se sa para t’ia kërkojë palës të cilën ia ka dërguar i akuzuari zyrtari doganor Sejdiu, kurse pas përfundimit të procedurës së zhdoganimit, si rezultat i veprimit që i akuzuari- zyrtari doganor Sejdiu ia ka dërguar palën në mënyrë të drejtpërdrejtë para hyrjes së terminalit doganor i ka dhënë ryshfet në shumën prej 50 euro.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Abazi më 21 shtator 2021, në pikëkalimin kufitar tek Hani i Elezit, në cilësi të vozitësit të kompanisë “Shero Tours”, gjatë kohës së kontrollimit të autobusit nga i akuzuari – zyrtari doganor Sejdiu, është afruar tek vetura zyrtare ku po qëndronin të akuzuarit Miletiq dhe Caviq, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë ryshfet një qese me mjaltë dhe brenda saj shumën e parave prej 30 euro të akuzuarit Miletiq.

Edhe i akuzuari Krasniqi, sipas aktakuzës thuhet se më 27 tetor 2021, në pikëkalimin kufitar tek Hani i Elezit, në cilësi të vozitësit të kamionit, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë ryshfet të akuzuarit – zyrtarit policor Aliu, për të shmangur pritjen në kolonë dhe kontrollin e rregullt kufitar, duke ia lënë brenda librezës së kamionit 10 euro ryshfet.