Deklarohen të pafajshëm gjashtë zyrtarët komunal të Junikut të akuzuar për korrupsion

Gjashtë zyrtarët e Komunës së Junikut:Qaush Krasniqi, Albian Shehu, Fatmir Isufaj, Sali Pepshi, Avdyl Maloku dhe Hysen Imeri, janë deklaruar të pafajshëm përballë akuzave për korrupsion.

Në seancën fillestare të së hënës, në Gjykatën Themelore në Pejë, të akuzuarit së bashku me mbrojtësit e tyre kërkuan që aktakuza të konsiderohet e lexuar pasi që ishin të njoftuar për çka akuzohen, dhe e njëjta u konsiderua si e tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas të akuzuarit e lartcekur deklaruan se nuk ndihen fajtor ndaj akuzave që ju vihen barrë.

Gjyqtari Shaqë Curri, i njoftoi ata lidhur me kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon gjashtë zyrtarët e Komunës se Junikut, Qaush Krasniqi, Albian Shehu, Fatmir Isufaj, Sali Pepshi, Avdyl Maloku dhe Hysen Imeri, me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.

Sipas aktakuzës, Qaush Krasniqi, në cilësinë e mbikëqyrësit të projektit për tenderin e mirëmbajtjes dhe servisimin e automjeteve të komunës, kishte pranuar fatura të pa verifikuara, duke miratuar pagesat në kundërshtim me LMFP dhe Rregulloren e Thesarit, dhe si rrjedhojë e kësaj pagesa për shërbimet e pakryera nga operatori ekonomik “Juniku Reisen”, me menaxher të akuzuarin Albian Shehu, ku për pasojë buxheti i Komunës Junikut u dëmtua  prej 4 mijë e 9 euro e 84 centë.

I akuzuari Albian Shehu sipas aktakuzës, me qëllim që të vë në lajthim organin kompetent, me dashje kishte futur të dhëna jo të sakta në faturat për shërbimet e mirëmbajtjes dhe servisimit të automjeteve, me qëllim të përfitimit të padrejtë.

I akuzuari Fatmir Isufaj, po akuzohet se si menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Junikut, me dashje i kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për operatorin ekonomik “Juniku Reisen”, duke e pranuar dhe nënshkruar një ofertë joserioze- kontratë me këtë të fundit lidhur me aktivitetin e prokurimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit Sali Pepshi, Avdyl Maloku dhe Hysen Imeri, si persona zyrtarë në Komunën e Junikut, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare duke i mundësuar parfumimin e kundërligjshëm operatorit ekonomik “Juniku Reisen”, ku ishin caktuar si anëtarë të komisionit për vlerësimin e ofertave dhe të njëjtit pasi që i kanë vlerësuar ofertën e operatorit të lartcekur, e kanë rekomanduar për kontratë edhe pse oferta nuk i ka plotësuar as për së afërmi kriteret kualifikuese.