Megjithëse vendi fqinjë Shqipëria ka marrë masa strikte për parandalimin e Koronavirusit duke mbyllur shkollat, kafenetë, baret dhe restorantet e njëjta gjë nuk po ndodh në Kosovë.
Në një përgjigje zyra për media e Ministrisë së Arsimit ka deklaruar se nuk kanë marrë asnjë vendim deri tani për mbylljen e shkollave.
Ata kanë deklaruar se në momentin që ka ndonjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë do të merren masat përkatëse.
“Për momentin nuk është marrë asnjë vendim tjetër në lidhje me shkollat përveç asaj që është thënë dje. Në momentin që ka ndonjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë mundemi me marr masa, por për momentin nuk ka asnjë lëvizje” kanë thënë nga Ministria e Arsimit.
Kosova është e rrethuar nga të gjitha vendet e prekura nga Koronavirusi, por deri tani në vendin tonë nuk është konfirmuar asnjë rast.
Edhe nga QKUK pak minuta më parë kanë deklaruar për Gazeta Blic se nuk ka asnjë rast me Koronavirus në Kosovë por ka vetëm raste të dyshuara që po u merren analizat.







