Deklaratat e Haradinajt për vrasjen e ushtarëve serb, ministrja serbe kërkon reagim të ndërkombëtarëve

Për deklaratat e nënkryetarit të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, të bëra në televizionin T7, për vrasjen e ushtarëve serb, ka reaguar sot edhe ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Nela Kuburovic.

Ajo e ka quajtur si skandaloz faktin që Haradinaj ka thënë se kërkon falje që nuk ka mundur të vrasë më shumë ushtarë serb.

Kuburovic ka kërkaruar edhe reagim ndërkombëtar pas këtyre deklaratave.

“ Deklarata skandaloze. Kërkoj nga institucionet ndërkombëtare një reagim urgjent. Kjo është edhe një arsye pse Gjykata Speciale duhet të fillojë punën sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka thënë Kuburovic për ‘tanjug, transmeton Gazeta Express.

“Kam vra ushtarë serbë sa herë që kam pasur shansin. I them familjes time se më vjen keq që nuk kam vra aq sa më ka dashur qejfi. Më vjen keq që m’i kanë vra shokët, por më vjen mirë që i kam vrarë serbët”, është deklarata e Nasim Haradinajt e bërë në T7.

Këto deklarata Haradinaj i kishte bërë derisa kishte folur për aktakuzat e mundshme të Gjykatës Speciale, duke thënë se nuk ka fare frikë nga një Gjykatë e tillë.

Haradinaj madje e ka quajtur si të padrejtë formimin e një Gjykatë të tillë e cila në mënyrë të padrejtë do të gjykojë shqiptarët.

Ai ka thënë se dihet fare mirë se kush kishte qenë agresori në luftën e fundit, dhe kush kishte kryer krime gjatë luftës së fundit.

Sipas rezultateve zyrtare të botuara nga arkivat kosovare, ushtria serbe gjatë vitit 1998-1999 ka vrarë, 11.843 kosovarë, prej tyre 1.392 fëmijë dhe 1739 femra.