Deklaratat anti-NATO dhe “terroristët shqiptarë”: Haradinaj shkarkoi Mikiq, por jo Todosijeviq

Më 25 mars të këtij viti, Kryeministri Ramush Haradinaj mori vendim që ta lirojë nga detyra zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq.

Deklarata e saj kundër NATO-së në 20 vjetorin e nisjes së bombardimeve të kësaj aleance mbi Serbinë, ka qenë shkas që ajo të mos mund të vazhdojë detyrën.

“Në këtë ditë 20 vjet më parë mbi një shtet sovran që për një dekadë ka luftuar kundër terroristëve shqiptarë në kufijtë e vet, është kryer gjenocid i planifikuar nga NATO”, kishte deklaruar Mikiq.

Ngjashëm kishte deklaruar edhe Ministri i Administrimit i Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Veçse në këtë rast nuk është ndërmarrë asgjë që ai të lirohet nga detyra që mban.

Zëri i Amerikës në gjuhën serbe shkruan se Haradinaj në këtë rast po përdorë standard të dyfishtë, transmeton Klan Kosova.

“Shkak për agresionin mbi vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në territorin e Kosovës dhe Metohisë, një Reçak i imagjinuar, ka qenë pikërisht shpikje e shqiptarëve terroristë, të cilën bënë ligësinë më të madhe në Kosovë dhe Metohi për të cilën askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Ata kanë kryer krime para agresionit të NATO-së, kanë vrarë serbët e mirë. Ata vazhduan përgjakjen gjatë agresionit dhe edhe pas ardhjen së të ashtuquajturit mision paqeruajtës në Kosovë e Metohi”, ka qenë deklarata e ministrit Todosijeviq.