Deklarata e zëvendëskryeministrit, Enver Hoxhaj ku sulmon ashpër bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator të Kosovës për shkuarjen në Bruksel, është bërë lajm kryesor sonte në mediat serbe.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj tha sot se nuk ka asnjë informacion pse kanë shkuar në Bruksel bashkëkryesuesit e ekipit shtetëror për dialogun me Serbinë.
Në një intervistë për T7 Hoxhaj tha takimet e tilla janë të panevojshme dhe nuk ka kuptim nëse nuk ka unitet në Kosovë.
“Nuk kam informatë pse janë atje, takimet e tilla mund të jenë të panevojshme nuk ka kuptim nëse ne nuk jemi unik në Kosovë Duhet gjatë këtyre ditëve t’i japim drejtim procesit të dialogut Ne duhet të japim një vendimmarrje për çështjen e taksës”, ka thënë Hoxhaj.
“Zëvendëskryeministri nuk e di çfarë dëshirojnë Limaj dhe Ahmeti në BE: E panevojshme”, është titulli i agjencisë serbe të lajmeve, tanjug, transmeton Ballkani.info.
Ky lajm më pas është shpërndarë në të gjitha mediat serbe.
Aty citohet Hoxhaj kur thotë se “takime të tilla janë të panevojshme nëse Kosova nuk ka unitet”.
E Limaj ka thënë sot se në Bruksel kanë shkuar t’ia paraqesin dhe t’ia dorëzojnë shefes së BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherinit, platformën e miratuar në Kuvend për dialog me Serbinë.
Limaj dhe Ahmeti nuk janë takuar fare me Mogherinin, por me këshilltaren e saj, Angelica Eichhorst. /Ballkani.info/







