“Dëgjoheshin hapat e shpejtuar të gardianëve”- Rrëfimi i Albin Kurtit për natën në burgun e Pozharevcit

Lideri i VV-së, Albin Kurti, ka rrëfyer një natë të kaluar në burgun e Pozharecit në kohën kur pushteti i Sllobodan Millosheviq po binte në Serbi.

Kurti përmes një postimi në Facebook thotë se Millosheviqi ra si personalitet politik, por regjimi i tij në Serbi po vazhdon.

Postimi i plotë:

Dëgjoheshin hapat e shpejtuar të gardianëve poshtë e lart. Na e ndalën edhe energjinë elektrike në pavilonin VI të burgut ‘Zabela’ në Pozharevc. Drejtoria nuk dëshironte që ne të dëgjonim radion. Beogradi ishte përfshirë nga demonstrata masive kundër Milosheviqit. Pozharevci ku ne shqiptarët mbaheshim rob lufte ishte vendlindja e tij.

20 vjet më parë, më 5 tetor 2000, u rrëzua Slobodan Millosheviq nga pushteti. Ai ishte përgjegjës për shkaktimin e katër luftërave në ish Jugosllavi, vdekjen e rreth 150 mijë joserbëve, dhe për gjenocidin mbi popullin boshnjak dhe shqiptar.

5 tetori ndodhi, mirëpo në Serbi asnjëherë nuk erdhi 6 tetori. Ra Milosheviqi si personalitet politik, por ai nuk u braktis si politikë e Serbisë. Përkundrazi, dy vjet e gjysmë më vonë u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndërsa sot Serbia udhëhiqet nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Milosheviqit: Maja Gojkoviq e cila ishte zv.kryeministre në kohën e tij sot është Kryetare e Kuvendit të Serbisë; Ivica Daçiq, i cili ishte zëdhënësi i partisë së tij sot është Ministër i Punëve të Jashtme; ndërsa sekretari i atëhershëm i Partisë Radikale të Sheshelit, partnere kjo e koalicionit me Milosheviqin, si dhe ministri i informatave në qeverinë e asaj kohe, Aleksandar Vuçiq, sot është President i Serbisë.

20 vjet më vonë, sot në Serbinë ‘demokratike’ ka shumë më pak opozitë sesa kurdoherë në dekadën e diktaturës së Milosheviqit.

Ata që merren me Vulinin që të mos merren me Vuçiqin, teksa fajësojnë vetëm Slobodanin, bëjnë edhe dëm përveçqë e kanë gabim.