Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vlerësuar lart rolin e Kosovës në ushtrimin më të madh ushtarak të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës [SHBA] në Evropë, “Defender Europe 25”, duke theksuar se pjesëmarrja dhe përgjegjësitë e marra nga Forca e Sigurisë së Kosovës [FSK] janë dëshmi e fuqishme e profesionalizmit dhe besueshmërisë që Kosova gëzon ndër partnerët strategjikë.
Kurti përmes një postimi në “Facebook” shkroi se përmes këtij ushtrimi, njësitë e FSK-së do të angazhohen në operacione luftarake sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit, duke përdorur edhe sistemet më moderne të armëve, të blera nga Qeveria e Kosovës si pjesë e rritjes së kapaciteteve ushtarake.
“Defender Europe 25” këtë vit shtrihet në tri zona gjeografike të kontinentit – veriore, qendrore dhe juglindore – me përfshirjen e gjithsej 25.000 ushtarakëve nga 29 vende të NATO-s dhe vende partnere. Në Evropën Juglindore, ku bën pjesë edhe Kosova, do të marrin pjesë 12.000 ushtarakë nga 19 shtete.
“Veçantia më e madhe për Kosovën është që nga të gjitha vendet e përfshira, është pikërisht vendi ynë ai që është përzgjedhur nga Ushtria Amerikane për vendosjen e komandës së Divizionit 28 të këmbësorisë. Kjo komandë do të udhëheqë operacionet e gjithë regjionit të Evropës Juglindore, dhe do të vendoset në bazën e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës”, deklaroi Kurti.
Republika e Kosovës është një nga 18 vendet nikoqire të këtij ushtrimi ndërkombëtar dhe pritet të angazhojë rreth 1.000 trupa të FSK-së, që do të operojnë përkrah njësive nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Zonat kryesore të zhvillimit të stërvitjeve në Kosovë do të jenë në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë edhe Zonën e Trajnimit në Babaj të Bokës, ku do të zhvillohen ushtrime të avancuara me qitje të vërtetë dhe simulime të operacioneve luftarake.
“Ky është një moment kulmor për ushtrinë tonë. Jemi dëshmuar si një partner serioz, i gatshëm dhe i aftë për të mikpritur dhe për të realizuar ushtrime të këtij niveli dhe kompleksiteti. Kjo tregon për rritjen e bashkëpunimit strategjik me ShBA-të dhe për besimin që partnerët ndërkombëtarë kanë në Qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtrinë e Kosovës”, tha Kurti.
Ushtrimi “Defender Europe 25” në territorin e Kosovës do të zgjasë deri më 9 qershor, dhe pritet të sjellë përfitime të mëdha në aspektin e ndërveprueshmërisë ushtarake dhe afirmimit ndërkombëtar të kapaciteteve vendore të sigurisë.







