Deda: Bashkimi i madh opozitar s’po ndodh, mund të humbë mundësia e ndryshimit të madh

Ilir Deda, deputeti i legjislaturës së gjashtë, që u shpërbë sot me 89 vota pro në seancën e jashtëzakonshme ka folur në një intervistë për Gazetën Express. Ai ka thënë se nëse opozita nuk futet në një listë të përbashkët në zgjedhje, humbëse do të jetë Kosova. Deda nuk është deklaruar se a do të hyjë në garë për deputet me ndonjë nga partitë që do të marrin pjesë në zgjedhje. Ai, po ashtu, ka thënë se që nga viti 2010 PDK-ja do të duhej të ishte në opozitë.

Ilir Deda, që për një kohë të gjatë është i pranishëm në jetën publike dhe institucionale, ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë.

Deda i cili pas daljes nga Vetëvendosja, së bashku me Mimoza Kusari-Lilën formuan Alternativën dhe në zgjedhjet e vitit 2017 ishin pjesë e koalicionit LAA (LDK-AKR-Alternativa), ku Deda u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës. Por, Deda ndau rrugët edhe me Alternativën dhe në Kuvend vazhdoi si deputet i pavarur.

Ai për tha se nëse nuk ndodhë një bashkim i bllokut opozitar, atëherë humbëse do të jetë Kosova.

“Për mua blloku opozitar është LDK, VV, PSD, Mimoza Kusari, Korab Sejdiu, partitë e tjera, figurat publike që nuk janë në politikë e që do të bëheshin pjesë e listës së përbashkët të forcave demokratike në vend. Bashkim të gjerë të tillë po e shohim që nuk do të ndodhë, me ç ‘rast po humbet mundësia për ndryshimin e madh, dhe po rritet mundësia që çdokush të “shkojë rrugës së vet”. Humbës, në fund do të jemi të gjithë, e Kosova në veçanti”, ka thënë Deda.

Ai ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit të tij në ndonjë listë zgjedhore me partitë që do të garojnë në zgjedhje.

“Për mundësinë e kandidimit apo moskandidimit tim në zgjedhje do të ju informoj me kohë”, është shprehur Deda.

Deda ka thënë se PDK-ja është dashur që nga viti 2010 të jetë në opozitë. Ai po ashtu ka folur edhe për koalicionin PSD-AAK.

I pyetur se si e sheh këtë koalicion duke marrë parasysh orientimin programor të majtë respektivisht të djathtë të këtyre partive, Deda tha se është e njëjtë sikur t’i bëhet pyetja si e sheh koalicionin LDK-VV.

“Nëse flasim në aspekt të pastër programor, atëherë i bjen të përgjigjem njejtë si e konsiderojnë të tjerët programin e djathtë të LDK-së me ate të majtë të VV-së, ndërsa unë jam për projekt emergjent qeverisës ku nuk ka shumë hapësirë për luks ideologjik, e që kam besuar që duhet të jetë baza e bashkimit opozitar”, është shprehur Deda.

Ditën e djeshme ka qarkulluar një fotografi e Ilir Dedës me deputetin e PSD-së, Dardan Sejdiu ku edhe u spekulua për një aderim të mundshëm të Dedës në PSD. Por, Deda për Express ka thënë se kalimi i tij në PSD nuk do të ndodhë.

loading…