Parlamenti Holandez do të vendosë në datën 8 tetor për hapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë. Sinjalet nga ministri i Jashtëm, Stef Blok. Shqipëria ka ende kushte për të plotësuar, Maqedonia e Veriut e ka rrugën e hapur

Holanda nuk mendon se në Shqipëri është bërë një progres domethënës për të ndryshuar qëndrimin e shprehur në muajin qershor, për sa i takon hapjes së negociatave të anëtarësimit, vë në dukje media holandeze, “Tsarizm Staff”. Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Çështjet Europiane në Parlamentin holandez, ministri i Jashtëm, Stef Blok e bëri të qartë këtë gjë. Stef Blok iu përgjigj interesit të ligjvënësve holandezë mbi qëndrimin që do të mbajë qeveria në lidhje me vendimin që do të merret në tetor për çështjen e negociatave. Në përgjigjet e dhëna, kryediplomati holandez shprehu qëndrimin e qeverisë që përfaqëson se duhet të ketë një ndarje të procesit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sa i takon Shqipërisë, Blok nuk vëren ndonjë ndryshim në krahasim me muajin qershor. “Unë mendoj që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të trajtohen të ndara, sepse janë dy vende të ndryshme me probleme të ndryshme dhe progres të ndryshëm. Mendoj gjithashtu se niveli i progresit në Maqedoninë e Veriut është qartësisht më i lartë se ai në Shqipëri. Marrëveshja me Greqinë mbi çështjen e emrit në vetvete është një progres i madh”, deklaroi Blok. Porosia holandeze për Maqedoninë e Veriut është vetëm adoptimi i ligjit për forcimin e pavarësisë së prokurorisë, që Stef Blok e cilësoi si një çështje burokratike. Për Shqipërinë, Holanda ndan mendimin se vendi nuk ka plotësuar pesë kushtet e vendosura në qershor të 2018. “Shqipëria është një histori tjetër. Unë mendoj që Shqipëria duhet të përmbushë njëherë këto kushte për të hapur negociatat”, deklaroi Blok. Në procesverbalin e zbardhur të mbledhjes, ligjvënësit holandezë pyesin ministrin e Jashtëm nëse me qëndrimin për të bllokuar negociatat për Shqipërinë, Holanda rrezikon të shndërrohet në “dele të zezë” të zgjerimit, duke u bërë i vetmi vend i BE-së që del kundër Tiranës. Blok mendon se jo. “Në mbledhjen e fundit të Këshillit Europian, Holanda, Franca dhe Danimarka ishin vendet që ruajtën këtë pozicion. Unë mendoj se varet nga vendet anëtare se çfarë qëndrimi do të mbajnë, por unë deri më tani nuk kam asnjë sinjalizim që Holanda do të jetë e vetmuar në këtë vendim”, shtoi Blok. Ministri i Jashtëm holandez shtoi se deri më tani në adresë të tij nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga vendet e tjera të BE-së për këtë çështje. Por, duhet thënë se debati në fjalë është zhvilluar para vendimmarrjes së Gjermanisë dhe mbetet për t’u parë nëse votimi në Bundestag do të ndikojë në vendimmarrjen holandeze për këtë temë. Deputeti Pieter Omtzig tha: “… Atje (Shqipëri) flitet për përfshirje të mafies në partinë në pushtet.

Ka pasur bojkot të opozitës në zgjedhje dhe ka probleme të mëdha me kriminalitetin dhe trafikun e drogës. Kam një parandjenjë të sinqertë që ata janë duke lëvizur prapa në krahasim me ku ishin një vit më parë.” Një deputete tjetër tha se ajo vijon të mos jetë dakord për hapjen e negociatave dhe se ajo është kritike për praktikat gjyqësore dhe kritike për cilësinë dhe intensitetin e luftës kundër korrupsionit. “Unë jam shumë dakord me ministrin që dy vendet të gjykohen veçmas bazuar në meritat e tyre. Trajtimi në të njëjtën paketë do të shkaktonte padrejtësi për Maqedoninë e Veriut.” Media holandeze i ka bërë jehonë deklaratave duke thënë se nuk ka gjasa t’i hapen negociatat Shqipërisë. “Muajin tjetër, Këshilli Europian pritet të vendosë për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky vendim duhet të jetë unanimisht. Me veton holandeze ende të vendosur, nuk ka gjasa që të hapen negociatat me Shqipërinë, ndërsa perspektivat për Maqedoninë e Veriut duken më shpresëdhënëse”.

Dy eurodeputetë holandezë “të shqetësuar” nga klandestinët shqiptarë

Vendimi i Bundestagut gjerman është një derë që ka nisur të hapet për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Tani mbetet për t’u parë nëse sinjali i dhënë nga Berlini do të mirëpritet edhe në Paris dhe sidomos në Amsterdam. Vendimmarrja e Francës ka më pak burokraci. Ajo është në dorë vetëm të Presidentit Emmanuel Macron dhe nuk përjashtohet mundësia që nën shembullin e gjermanëve, Presidenti francez të vendosë të tjera kushte. Një prej tyre mund të jetë ndalimi i fluksit të azilkërkuesve, shqetësim që e ngriti së fundmi. Në Holandë vendimmarrja është më komplekse dhe ashtu si në Gjermani, qeveria vendase duhet të marrë dritën jeshile nga Parlamenti vendas. Ky parlament pritet që të mblidhet në ditët e ardhshme për të vendosur mbi këtë temë, ndërkohë që kësaj mbledhjeje i paraprin një shqetësim i ngritur nga dy eurodeputetë holandezë të Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci. Caroline Nagtegaal van Doorn dhe Malik Azmani, ky i fundit me origjinë marokiene, kanë ngritur shqetësimin pranë Komisionit Europian mbi atë që e quajti fluks të pashoq të emigrantëve të parregullt shqiptarë në portet e Europës, sidomos në ato holandeze. “Gjithnjë e më shumë emigrantë të parregullt shqiptarë dynden në portet e Bashkimit Europian që i përdorin si rrugëkalimi për në Britaninë e Madhe, siç është edhe porti i Roterdamit në Holandë. Pavarësisht bashkëpunimit mes vendeve të BE-së dhe operacioneve të autoriteteve, shumë emigrantë bien pre e trafikantëve, duke u përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe në disa raste edhe duke vdekur në përpjekje për të arritur në Britaninë e Madhe”, thuhet në letrën që dy eurodeputetët i kanë dërguar Komisionit më datë 12 shtator. Letra shoqërohet me tre pyetje pasuese. Në të parën, eurodeputetët holandezë kërkojnë të informohen mbi fushatat mediatike në televizione, gazeta, media elektronike dhe rrjetet sociale në Shqipëri, që kanë pasur synim parandalimin e emigracionit të paligjshëm. Së dyti, Caroline Nagtegaal van Doorn dhe Malik Azmani kërkojnë të informohen nëse fushatat e mësipërme informuese ua kanë bërë të qartë qytetarëve shqiptarë mbi pasojat ligjore të emigracionit të paligjshëm, përfshirë faktin që mund t’u ndalohet hyrja në BE nëse kapen, apo më keq që u rrezikohet jetë gjatë udhëtimeve klandestine? Në fund, eurodeputetët holandezë kërkojnë të dinë nga Komisioni nëse merr pjesë, monitoron apo raporton në Bruksel përpjekjet e autoriteteve shqiptare përmes fushatave informuese për të parandaluar emigracionin e paligjshëm.

Votimi në 8 tetor

Holanda është një prej dy vendeve skeptike për procesin e integrimit, e cila ende nuk e ka thënë fjalën e saj për vendimin që do të merret në 18 tetor për Shqipërinë. Mësohet se në datë 4 tetor qeveria e Holandës do ti drejtohet parlamentit me një letër për fatin e hapjes ose jo të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Dhe parlamenti holandez do të marrë vendim në datën 8 tetor për çeljen ose jo të bisedimeve për anetaresimin e Shqipërisë. Në qershorin e 2018 parlamenti holandez votoi kundër hapjes së negociatave e tani diskutimi i 8 tetorit është i rëndësishëm për fatin e integrimit. Përveç Holandës ende mbetet për tu mësuar qëndrimi i Francës një prej vendeve më të rëndësishme të Bashkimit Europian, pasi ende nuk dihet nëse Parisi zyrtar do të mbështesë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Të shqetësuar për krimin, ja kushtet e Holandës

Edhe pse Bashkimi Europian, me anë të organit të saj kryesor vendimmarrës, Këshilli i Ministrave, ka vendosur një afat, prej gati një vit, që Shqipëria të hapë negociatat, përsëri qëndrimi nuk ka ndryshuar për Holandën. Në një komunikim me gazetën “Shekulli” të një viti më parë, kabineti i Ministrit të Jashtëm Holandez, Stef Blok, ka theksuar, se hapja e negociatave, do të varet nga përmirësimi i luftës kundër krimit të organizuar, procesi i “Vettingut” dhe reforma në administratën publike.

Kushtet

Holanda mbështet perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor. Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian mbetet e artë, strikte dhe e bazuar në ndershmëri, e lidhur kjo me, kushtet dhe principet e secilit vend kandidat. Një vend kandidat duhet të përmbushë të gjitha kriteret në mënyrë strikte, përpara se ne të ndërmarrim hapin e radhës për procesin e pranimit për vendet kandidate.

Holanda i mirëpret reformat e nisura nga Shqipëria këto vitet e fundit. Vendi ka bërë progres të dukshëm në fushën e reformës së drejtësisë, duke përfshirë procesin e “Vettingut”, por duhet një angazhim më i madhe për reformën në administratën publike dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në të njëjtën kohë, Holanda mbetet e shqetësuar për ritmin e ulët të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri. Numri i të dënuarve mbetet shumë i ulët.
Në periudhën në vazhdim, Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë për implementimin e pesë prioriteteve kyç, të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian që në vitin 2014, të cilat u ritheksuan po nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, në mbledhjen e qershorit të këtij viti.
Këto prioritete duhet të fokusohen tek ndërtimi i një rekordi pozitiv në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha nivelet.
Për sa i përket sfidave në fushën e sigurisë dhe kërcënimeve të jashtme, Holanda mbështet përfundimet e nxjerra nga Samiti i Sofies, të Majit 2018, si dhe mbështet sfidat e ardhshme të Shqipërisë.

loading…