Debat i nxehtë për mos raportimin e Ministrisë së Bujqësisë lidhur me keqpërdorimin e milionave për grante

Sërish është zhvilluar një debat i nxehtë në Komisionin për Bujqësi për mos raportimin e drejtuesve të Ministrisë së Bujqësisë lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e miliona eurove për grante.

Fillimisht anëtari i Komisionit, Sali Zyba nga LVV, ka kërkuar që të raportohet nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për skandalet të cilat kanë ndodhur në këtë ministri.

Zyba theksoi se nuk mund të flitet sot në këtë komision për projektligjin e pijeve alkoolike pa folur për milionat e keqpërdorura në Ministri të Bujqësisë.

Edhe Besa Gaxherri, anëtare e komisionit nga LDK, ka thënë se është e papranueshme që nuk po raportohet nga zëvendësministri i Bujqësisë për skandalet.

Kryetari i Komisionit Muharrem Nitaj ka thënë se duhet përmendur që komisioni është shqetësuar për gjendjen në Ministrinë e Bujqësisë në mungesë edhe të titullarit kryesor në këtë ministri.

Nitaj ka thënë se nuk ka autoritet që t’i sjellë drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë me dhunë në komision.Deputeti Andin Hoti ka thënë se përgjegjëse për grante është Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë e jo Ministria e Bujqësisë.

Ganimete Musliu tha se meqë janë tre zëvendësministra në Ministri të Bujqësisë, duhet të ftohen të gjithë ose një prej tyre me emër, sepse nuk ka zëvendësministër të parë ose ushtrues detyre që prej kur është shkarkuar ministri Nenad Rikallo.

Ndërsa, pas këtij debati për raportimin e granteve, Zyba kërkoi që kjo mbledhje të shtyhet deri sa të raportohet nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, por nuk e mori përkrahjen e anëtarëve të tjerë, për çka ndikoi në lëshimin e mbledhjes nga Zyba.

Me propozim të kryetarit të komisionit është futur në rend të ditës dhe miratuar në lexim të dytë projektligji për shërbime të ujit.

Po ashtu, komisioni në parim ka miratuar projektligjin për pijet e forta alkoolike, si dhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-247.