KiE

“Debat historik” në Strasburg, publikohet lista: Këta janë përfaqësuesit e Kosovës e të Shqipërisë që do të flasin

“Një debat historik do të nisë në Strasburg: A do t’ia hapë PACE derën anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës?”, Kështu shkruan në “X”, Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet, duke paralajmëruar debat dinamik në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

Knaus ka publikuar një listë të folësve që do të marrin pjesë në këtë diskutim përpara votimit.

Deputetët kosovarë Enis Kervan, Arben Gashi dhe Saranda Bogujevci do të jenë anëtarët e delegacionit të Kosovës që do të flasin në Amablenë Parlamentare, raporton Gazeta Express.

Nga Shqipëria do të flasin katër përfaqësues: Blerina Gjylameti, Lulzim Basha, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, janë anëtarët e delegacionit të Tiranës që do ta marrin fjalën.

Në listë janë gjithsej 59 përfaqësues që do të flasin, ndër të cilët 6 serbë.

Paraprakisht, në emër të grupeve politike do të flasin Iulian Bulai nga Rumania, Alexis Tsipras nga Greqia, Frank Schwabe nga Gjermania, Ingjerd Schie Schou nga Norvegjia dhe Zsolt Nemeth nga Hungaria.

Më herët, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës i ka hedhur poshtë të gjitha amandamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim, përpara se Asambleja Parlamentare ta shqyrtojë sot raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës.

Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se vendi ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

Nëse Asambleja Parlamentare e jep dritën e gjelbër sot, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.

Delegacioni i Kosovës në Strasburg është optimist se janë siguruar votat e nevojshme për ta kaluar edhe këtë rund në procesin e anëtarësimit.