Presidenti i Napolit

De Laurentiis zbulon se Napoli refuzoi ofertën prej 100 milionë euro të Unitedit për Koulibaly

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis konfirmoi se klubi italian refuzoi ofertën e Manchester Unitedit prej 100 milionë eurove për mbrojtësin Kalidou Koulibaly.

Koulibaly është përshtatur jashtëzakonisht mirë te Napoli prej transferimit në “San Paolo” në vitin 2014 nga Genku, derisa reprezentuesi i Senegalit konsiderohet si një prej mbrojtësve më të mirë në botë.

Senegalezi që numëron më shumë se 150 paraqitje me Napolin në të gjitha kompeticionet, këtë sezon i ka zhvilluar të gjitha 16 ndeshjet e Serie A, me napolitanët që renditen në vendin e dytë me 8 pikë më pak se lideri, Juventusi.

Koulibaly ka qenë i lidhur vazhdimisht me një kalim drejt Premier Leagues, ndërsa vetë presidenti i Napolit ka treguar për një ofertë zyrtare në drejtim të 27 vjeçarit.

“Ne jemi në gjendje t’i zhvillojmë top lojtarët dhe t’i mbajmë ata. Kur mu ofruan 100 milionë euro për një qendër mbrojtës, një shumë që nuk është ofruar asnjëherë më parë, do të thotë se kemi top lojtarë”, zbuloi De Laurentiis.

De Laurentiis që ndryshe është edhe regjisor i filmave insistoi se Napoli ka lojtarë me cilësi botërore, duke përmendur edhe disa prej sulmuesve të së shkuarës.

“Kur e kemi pasur Gonzalo Higuainin që shënoi gjithë ato gola nën drejtimin e Rafa Benitezit dhe Maurizio Sarrit, ne kishim top lojtar. Çmendem kur dëgjoj të thonë se ne nuk kemi top lojtarë. A nuk ishte Cavani top lojtar? Të kesh një sulmues që shënon 30 gola si Mertens dhe një talent si Milik që pavarësisht lëndimeve tregon paraqitje pozitive, do të thotë se ne napolitanët pëlqejmë të ankohemi”, përmbylli fjalët e tij presidenti i Napolit.