Napoli do të përballet me Salzburgun në turin e ardhshëm në Europa League dhe duket se ky është objektivi madhor i jugorëve në këtë fundsezoni, siç e pranon edhe presidenti Aurelio De Laurentiis.

“Së pari, Napoli nuk ka frikë nga askush, sepse kemi 9 vite në Europë dhe jemi konsoliduar. Përveç kësaj, kemi një trajner si Ancelotti, i cili ka fituar gjithçka. Salzburgu është qytet shumë i bukur, mund të zbavitemi në një ndeshje më të thjeshtë në krahasim me disa të tjera”.

De Laurentiis sheh që tani nga sezoni i ardhshëm: “Kemi një ekip të kompletuar, Ancelotti po bën eksperimente dhe po i vëzhgon të gjithë. Kemi lojtarë të nivelit të lartë, por disa prej tyre nuk e interpretojnë dot si duhet mënyrën e lojës që dëshiron trajneri. Për këtë arsye, në fund të sezonit do të bëjmë një seleksionim, për të parë kush ka luajtur me rendiment të lartë e kush duhet të largohet”.

Për presidentin e Napolit Ancelotti është njeriu i paprekshëm: “Carlo është i kujdesshëm dhe i ndershëm, jam plotësisht dakord me të që ky Napoli meriton notën 7 dhe po i kënaq të gjithë. Jam i sigurt që do ta rritë këtë notë. Nëse Napoli kap finalen e Europa League, do ishte perfekte, por mos të shkojmë larg me parashikimet”.

Për sa i përket kampionatit, De Laurentiis bën një batutë nga të tijat: “Tifozët tashmë duan vetëm vendin e parë, turfullojnë për vendin e dytë. Gjithsesi, duhet luftuar deri në fund, nuk mund të dorëzohemi, sepse nuk bëhet garë vetëm për titull. Juventusi i shkëputur? Çfarë rëndësie ka të fitojnë kur kanë 200 milionë euro borxhe në bankë.