Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka folur për finalen e madhe kundër Argjentinës, duke e cilësuar një moment të veçantë për skuadrën e tij.

“Është privilegj të jesh në finale. Për mua gjëja më e rëndësishme është të jemi në gjendje ta fitojmë atë. Do ta pranoja me kënaqësi të arrija çdo vit në finale dhe ta humbisja atë”, deklaroi De la Fuente.

Ai vlerësoi rrugëtimin e Argjentinës dhe paralajmëroi një duel mes dy skuadrave me shumë ngjashmëri në stil dhe cilësi.

“Do të ketë një spektakël të madh, me dy skuadra fantastike, shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Secila do të përpiqet ta çojë ndeshjen aty ku i përshtatet më shumë”, tha trajneri spanjoll.

De la Fuente konfirmoi gjithashtu se ylli i ri i Spanjës, Lamine Yamal, është në gjendje optimale: “Është mirë dhe ndodhet në një formë fizike perfekte”.

Në prag të përballjes me Lionel Messin, trajneri spanjoll kujtoi një histori nga më shumë se dy dekada më parë, kur si trajner i ekipeve të të rinjve të Sevillas u përball me talentin e atëhershëm argjentinas.

“Më thanë të bëja kujdes me një Messi. Vendosa një lojtar për ta markuar, por pas kartonit të verdhë ndryshova strategjinë. Messi na shënoi katër gola në 15 minuta”, rrëfeu ai.

Megjithatë, De la Fuente theksoi se ndaj Messit nuk do të përdoret një markim individual, por do të ketë “vëmendje të veçantë” ndaj kapitenit argjentinas, të cilin e vlerësoi për sjelljen dhe profesionalizmin e tij.

Trajneri i Spanjës zbuloi edhe se ka kërkuar këshilla nga Vicente del Bosque, duke e cilësuar “një të urtë të futbollit”.

Përballë tij do të jetë Lionel Scaloni, të cilin De la Fuente e përshkroi si mik dhe trajner me të njëjtat vlera futbollistike.

Finalja Spanjë – Argjentinë premton një përballje të jashtëzakonshme mes dy prej kombëtareve më të forta të botës. ⚽🔥