Nevoja për të fuqizuar markën dhe për të shpërndarë emrin në të gjithë botën, ka bërë që klube nga Azia të hyjnë fuqishëm në tregun evropian për të marrë lojtarë me emër në ligat e tyre.

Pas Kinës, është Japonia që po ndjek këtë treg, ku së fundi është bërë pjesë edhe Andres Iniesta, tek klubi i Vissel Kobe, teksa nuk mungojnë as emra të tjerë si Podolski, Villa dhe Samper. Ndërkohë që Fernando Torres aktivizohet tek Sagan Tosu.

Ndërkohë nga Anglia, “The Sun” ka bërë me dije se Vissel Kobe është duke u interesuar për të bindur David Silva që të shkojë në J1 League.

Mesfushori 33-vjeçar është në vitin e fundit të kontratës me Manchester City dhe mund të mendojë një hipotezë për t’u bashkuar me ish shokun e tij tek Spanja, Iniestan.

Ende nuk janë zbuluar shifrat, mirëpo media angleze raporton se Kobe po përgatit një ofertë të parefuzueshme për fantazistin spanjoll.